E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e PD, Brojka: E gabuar përfshirja e Kastriot Islamit

Ish-kreu i Bashkisë së Tiranës, Albert Brojka, në mungesë të një ftese nga PD-ja, po mbështet kandidimin e bashkëqytetarit të tij, kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi në Tiranë. Pavarësisht kësaj, z. Brojka për asnjë moment nuk ka vendosur të ndryshojë partinë e tij, PD-në, së cilës iu bashkua që në ditët e para të krijimit, ndaj ka vendosur të bëjë fushatë për z.Shehi në kuadër edhe të koalicionit të së djathtës. Por për “Gazeta Shqiptare”, z. Brojka e quan të gabuar përfshirjen e tre ish-deputetëve socialitë në listat e PD-së, ndërsa rikthimin e Eduart Selamit e sheh si diçka pozitive për PD-në dhe të djathtën shqiptare. Albert Brojka flet për mundësitë e PD-së drejt një mandati të tretë qeverisës, ndonëse pranon se 8 vitet në pushtet e kanë konsumuar atë, por që është bërë një punë shumë e madhe, e cila mban emrin Sali Berisha. Edi Ramën kryeministër, Brojka e quan si diçka të rrezikshme, por që sipas tij, Ilir Meta mund ta zbusë atë, gjithnjë nëse flitet për një fitore të së majtës më 23 qershor.
Z. Brojka, cili është angazhimi juaj në këtë kohë fushate elektorale?
Unë po punoj normalisht punën time, kohët e fundit jam pozicionuar në Ministrinë e Ekonomisë si drejtor i përgjithshëm i standardizimeve. Por nëse është fjala në aspektin politik, jam pozicionuar në koalicionin e djathtë dhe personalisht po ndihmoj z. Dashamir Shehi dhe LZHK-në. Duke qënë dhe anëtar i PD-së, por edhe duke e parë LZHK-në në koalicionin e djathtë, duke e parë pak edhe si tiranas, mendoj se kam bërë një zgjedhje të mirë duke mbështetur z. Shehi në këtë fushatë. E gjykoj si një ndër politikanët e paktë me këmbë në tokë, opozitar gjithë jetën bashkë me mazhorancën dhe opozitën, një njeri që i ngjit fjala si me zamkë, një politikan i ekuilibruar, elokuent, realist, ka krijuar një figurë, një imazh të mirë të politikanit shqiptar dhe pikërisht një zë si Dashamir Shehi do t’i duhej këtij parlamenti. Duke u nisur nga të gjitha këto, jam në mbështetje të z. Shehi dhe të partisë që ai drejton.
... ishte një zgjedhje e imponuar?
Jo, ishte një zgjedhje e imja, me dëshirë, thjeshtë nga njohja e vjetër që kam me z. Shehi, por edhe me kërkesën e tij njëkohësisht. Por ne tiranasit nuk para e mbajmë njëri-tjetrin ndaj unë do të kisha dëshirë që ne të mbanim njëri-tjetrin, të ishim pranë dhe të ndihmonin njëri-tjetrin. Kam vënë re që shumë herë pushtetet janë pozicionuar herë në jug dhe herë në veri, por Shqipëria e mesme nuk para bëhet bashkë, ndaj shpresoj të ndryshojë kësaj radhe.
Ju jeni ende anëtar i PD-së, ndërkohë që po bëni fushatë për LZHK-në. Ju mungoi një ftesë nga ana e partisë suaj, PD-së?
Mund ta them se janë të dyja, edhe ftesa nga PD-ja ka munguar. Nuk është se pres ndonjë ftesë, por ka pasur një lloj ftohtësie nga PD-ja dhe njëkohësisht edhe një lloj ftohtësie nga ana ime, ndaj kam ndenjur i tërhequr dhe i paangazhuar. Duke mos mbetur plotësisht jashtë politikës, vendosa të bëja këtë zgjedhje për të cilën fola pak më lart.
Ju keni thënë kohë më parë se rikthimin në PD do ta rinisnit që nga baza e partisë, por a tentuat... ?
Tentova dhe ua them ndershmërisht. Jam ofruar, madje në fushatën e para dy viteve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, u pozicionova pro Lulzim Bashës, këtë e kam shprehur edhe në media. Por pavarësisht ofrimit tim, kam ndjerë një lloj ftohtësie nga PD-ja. Nuk jam tip që afrohem, por kur nuk më afrohen, ruaj pozicionin tim të ftohtë.
Rikthimi juaj në PD hasi pengesa, ndaj e bëri të vështirë?
Nuk mund ta quaj pengesë, por një lloj ftohtësie. Ka mundësi që më shohin dhe të konsumuar. Shikojnë brezin e ri si më me perspektivë, shohin një brez të ri që po vjen dhe nuk e shohin tek ne, dora e vjetër. Në këtë kuadër më kanë parë si të panevojshëm dhe kanë ndenjur ftohtë. Edhe unë kam bërë një gjë të tillë, pasi kanë gjykuar ndoshta se unë nuk i duhem më PD-së dhe kam mbajtur një pozicion të tillë. Nuk mund ta quaj të vështirë, një afrim i ftohtë. Por e kundërta ndodhi me z. Shehi, u tregua shumë i afërt me mua, shumë i ngrohtë dhe unë do ta ndihmoj me shumë dëshirë gjatë kësaj fushate elektorale.
Fakti që po mbështesni dhe po bëni fushatë për z. Shehi do të thotë se keni ndërruar partinë?
Jo, nuk kam ndërruar ndonjëherë partinë dhe nuk do ta bëj asnjëherë. Kam hyrë në Partinë Demokratike që dy javë pas krijimit të saj dhe nuk kam shkuar në asnjë parti tjetër. E kundërta ka ndodhur në PD, kanë ndërruar disa herë partitë shumë individë dhe sot janë në listat e PD-së. Dua ta ruaj emrin që kam, pozicionin që kam, do të mbetem me PD-në, nuk kam për ta ndryshuar ndonjëherë partinë. Edhe z. Shehi ishte i PD-së, një nga themeluesit e saj, pavarësisht shkëputjes, ndaj mund t’i quajmë si të distancuar në njëfarë mase. Por LZHK me zgjedhjen që po bën, është në koalicion dhe PD-ja e vlerësoi z. Shehi, duke e vendosur të shtatin në listën e Tiranës. Është një vend shumë i sigurt dhe një hap shumë pozitiv, pasi më në fund z. Shehi u vlerësua për rolin që ka luajtur tërë këtë kohë. Në këtë kuadër, duke mbështetur z.Shehi, mbështes njëkohësisht dhe koalicionin e djathtë dhe PD-në. Kështu që unë jam në krahun e koalicionit të djathtë dhe nuk jam mënjanuar, nuk jam distancuar.
Atëherë pse nuk jeni përfshirë në listat e LZHK-së?
Mesa duket edhe në listat e LZHK-së ka radhë, ndaj nuk pranova vetë që të kandidoja me gjithë ofertën e z.Shehi. Duhet të tregohem realist, LZHK-ja maksimumi mund të fusë 2 deputetë në Kuvend. Njëri është z. Shehi, që e ka të sigurtë dhe po u fut dhe një tjetër mirë do të ishte, por nuk mendoj se do të kishte hapësirë për një vend të 3 ose të 4. Në LZHK ka njerëz që kanë kontribute, që kanë punuar. Të futet i dyti Albert Brojka, duke mos pasur kontribut, nuk do të ishte aspak normale dhe e ndershme. Unë nuk mund ta bëja këtë, ndaj preferova të rrija jashtë listave të LZHK-së, me gjithë ofertën që m’u bë, por në mbështetje të Dashamir Shehit.
Si e pritët rikthimin e Eduart Selami në PD?
Më vjen mirë. Është një hap pozitiv i PD-së që më në fund vlerësoi një politikan të ekuilibruar, konstruktiv, siç është z. Selami. Një afrim i tillë duhej të kishte ndodhur më përpara. Është i vonuar, por një vend të tillë, i dyti në listën e qarkut të Elbasanit është një vend i sigurt në parlament për Selamin. Ndaj më vjen mirë që është bërë një vlerësim i tillë për z. Selami. E para, rikthimi i tij jep një mesazh në elektorat se figura të tilla nuk po lihen jashtë vëmendjes së PD-së dhe e dyta, njerëz të tillë me eksperiencë, që me të drejtë apo me pa të drejtë mund të jenë goditur në të kaluarën, është mirë që të rehabilitohen. Kjo tregon se edhe në linjën politike të PD-së diçka ka ndryshuar për mirë në rastin e z. Selami. Mendoj se ata kontribuues, që për arsye të ndryshme mund të jenë larguar përkohësisht nga PD-ja, bëjnë mirë të afrohen, të vlerësohen kontributet e tyre dhe t’u lihet hapësirë për t’i dhënë kontribuuar sërish në të ardhmen.
Megjithatë ende nuk po shohin rikthime të figurave të tjera si Aleksandër Meksi; sipas jush, për cilat arsye?
Një pjesë janë tërhequr vetë, një pjesë e ndjejnë veten të konsumuar. Vjen një brez i ri, i cili edhe ai ka nevojë të jetë në parlament. Po t’i shikosh listat, vetëm gjysma kanë për të hyrë, kështu që 70 vetë për Shqipërinë është vështirë, edhe të rinovosh, edhe të fusësh përqindjen e gruas, pasi gratë politikane kanë përqindjen e tyre, të fusësh dhe brezin e ri, të ruash dhe brezin e vjetër, mendoj se është një kombinim i vështirë. Ndaj do apo s’do, shumë nga themeluesit e PD-së, ose kanë dalë nga radhët, ose janë disi të mënjanuar, ose një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë aktivë.
Si e vlerësoni listën e kandidatëve të PD-së që garojnë më 23 qershor?
Pjesërisht pozitive. Nuk më kanë pëlqyer këto huazimet nga PS-ja. Janë njerëz që nuk kanë dhënë kontribut në PD, ndërkohë që kanë një vend të sigurt në listat e PD-së. Kjo nuk më ka pëlqyer. Unë e vlerësoj PD-në për rolin që i jep Eduart Selamit apo për rolin që i jep Dashamir Shehit, por nuk e vlerësoj për rastin e Kastriot Islamit, apo rastin e dy deputetëve të tjerë të PS-së që zunë vende pretendente në listën e demokratëve. Ka njerëz në PD që kanë kontribuar shumë më tepër, që meritojnë të ishin ata në vendet e tyre, por nuk janë realisht.
E shikoni të vështirë një mandat të tretë për PD-në?
E shikoj të vështirë por jo të pamundur. Gjykoj se në këtë moment deciziv, nëse do të kandidonte e vetme PS-ja, kishte shumë mundësi që të fitonte përsëri PD-ja me koalicionin e vet. Fakti që LSI-ja u largua nga aleanca me PD-në dhe u afrua me PS-në, është në favor të së majtës. Nuk e di se çfarë lloj peshe do të ketë tani lëvizja e LSI-së drejt PS-së, përveç kësaj, AK-ja dhe FRD-ja kanë njëfarë roli meqenëse kanë dalë të pavarura. Mund të tërhiqet njëfarë elektorati rreth tyre. FRD-ja mund të tërheqë elektorat djathtas, kurse AK-ja mund të tërheqë elektorat majtas. Kështu që këto të dyja mbajnë një ekuilibër. Fakti që LSI-ja po lëviz nga PS-ja, pothuajse në përqindje kanë shkuar majë më majë, prandaj gjykoj një luftë të ashpër, një ndeshje të vështirë dhe një rezultat të vështirë për t’u parashikuar.
Ju folët qëparë për figura të konsumuara, por a ka dhe pushtet të konsumuar pas 8 vitesh qeverisje?
Nuk mund ta quaj të konsumuar. Në përgjithësi pushteti të konsumon kushdo që të ishte në pushtet, jo vetëm PD-ja apo PS-ja, por edhe LSI-ja është konsumuar 4 vite në pushtet. Përgjithësisht pushteti të konsumon, por PD-ja ka disa karta të forta, pavarësisht se ka qenë 8 vite në pushtet. Kam parasysh këtu anëtarësimin në NATO, pra PD-ja është forca politike që e ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO. PD-ja është forca politike që ka hequr vizat dhe ka bërë të mundur lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë. Është forca politike që ka bërë ndoshta investimet më të mëdha në infrastrukturën rrugore. Mundet të jetë rëndësuar paksa fondi i shtetit, por janë bërë investime të mëdha si Rruga e Kombit, e cila mban firmën e Sali Berishës. Është investuar në ujësjellës, në shkolla, në mjedis, pavarësisht se ka shumë punë për të bërë, por është punuar shumë dhe kjo është meritë e qeverisjes demokratike. Ka dhe minuset e veta, por ka disa karta shumë të forta, përfshi dhe përpjekjet për miratimin e tri ligjeve. E çoi procesin deri tek vota e opozitës, e cila vazhdon ta bllokojë integrimin e vendit në BE. Pra këto janë arritjet që socialistët nuk i kanë bërë gjatë qeverisjes së tyre. PS-ja nuk mundi të bëjë arritje madhore, kështu që gjykoj një luftë shumë të ashpër e të vështirë për t’u parashikuar.
Sa e rrezikon mandatin e tretë të PD-së ikja e LSI-së tek PS-ja?
Siç thashë, pushteti të konsumon, por edhe LSI-ja ishte në pushtet, kështu që në pamje të parë duket sikur LSI-ja po i çon votat tek PS-ja. Në pamje të dytë edhe LSI-ja mban atë peshën e vet të pushtetit që përmenda, por në përgjithësi bashkimi i PS-së me LSI-në është në favor të së majtës dhe këtë nuk mund ta mohoj. Duke parë programet që ka prezantuar e majta pasi të vijë në pushtet, mua nuk më pëlqejnë, mënyra se si PS-ja mendon t’i rregullojë gjërat. Ka shumë propagandë. Pastaj, po t’i shikosh me kujdes të dyja programet, të së majtës dhe të së djathtës, janë të ngjashme, ndaj edhe sikur e majta të vijë nesër në pushtet, nuk ka për të bërë ndonjë gjë më të madhe. Absolutisht. Të mbash 8 vite pushtetin, pushteti të konsumon, por përgjatë këtyre 8 viteve është bërë shumë punë dhe nuk ma do mendja se PS-ja ka për të bërë më shumë punë nga ç’ka bërë PD-ja. Pavarësisht se i përqendron pushtetet, Berisha i hyn punës me kokë, punon nga mëngjesi në darkë, ndjek vetë personalisht punën, fut të gjithë administratën në punë, ka njëfarë idealizimi, përkushtimi për ta drejtuar mirë vendin. Këtë gjë nuk e shoh tek PS-ja. Në kampin tjetër shoh vetëm fjalë dhe propagandë, iu pëlqen shumë vetja. Kështu që shoh një luftë majë-majë, por unë personalisht do të doja të fitojë sërish e djathta, për pozicionimin politik që kam.
Nëse kemi një rezultat të tillë, PD-ja duhet të bëjë aleancë me FRD-në e Bamir Topit pas zgjedhjeve?
Për mendimin tim, edhe PD-ja duhet të kërkojë aleancë me Topin dhe vetë Topi duhet të kërkojë aleancë me PD-në nëse do të vijë puna për aleanca të tilla paszgjedhore. Pavarësisht se z.Topi është larguar nga PD-ja, sërish mbetet i PD-së. Divergjencat kane qenë më tepër personale sesa politike. Ndaj edhe PD-ja duhet ta shikojë si aleat pas zgjedhjeve dhe FRD-ja duhet ta shohë PD-në si aleat. Por nuk e shoh si të tillë Aleancën Kuq e Zi, e shoh si një forcë politike që merr vota majtas, një forcë politike të pastabilizuar, të papërqendruar, luan një kartë të ashpër, kartën e nacionalizimit, e padëshirueshme për faktorin ndërkombëtar. Ajo mund ta ketë tendencën për koalicion majtas sesa djathtas. Nuk mund t’i vësh në balancë Topin e AK-në. Topi është shumë më lart se AK-ja, e cila është një minorancë që po përçahet çdo ditë. Kurse maksimumi që mund të arrijë FRD-ja në shkallë vendi është një deri në dy vende në parlament dhe po arriti kaq, prapë është sukses dhe duhet të ketë një aleancë paszgjedhore me z.Topi.
Edi Rama po e prezanton veten prej kohësh si Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Si i shikoni mundësitë e tij?
Dikur kam pasur konflikte personale me z.Rama, sepse ai më zëvendësoi në krye të Bashkisë së Tiranës, më bëri një dosje dhe më çoi në prokurori. Atëherë Rama nuk ishte as anëtar i PS-së dhe unë atëherë kam thënë shprehimisht: “Ka etje të shfrenuar për pushtet, do të marrë PS-në, do të tentojë të marrë pushtetin që të bëhet kryeministër dhe kujdes, se dhënia e pushtetit në duart e tij është shumë e rrezikshme”. Edi Rama është njeri i paparashikueshëm, dhe, një kryeministër me pushtet të madh është shumë e rrezikshme, për një njeri të tillë që ka nevojë të vetëpërmbahet, ka nevojë të jetë i qetë, ka nevojë të marrë mendimin e të tjerëve dhe të mos veprojë ashtu si e ka zakon ai të sillet. Meta mund ta zbuste në njëfarë mase qëndrimin prepotent, arrogant dhe të paparashikueshëm të Ramës, gjithnjë nëse ndodh që të fitojë e majta.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›