E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e barnave, peng i Këshillit të Ministrave

Pas “restaurimit” të faturës financiare, kërkuar nga Bode, qeveria lë në sirtar projektvendimin

Këshilli i Ministrave nuk e përfshin në axhendën e punës për më shumë se një muaj projektvendimin e listës së barnave me rimbursim. Dje, në mbledhjen e radhës, ky projektvendim nuk është përfshirë edhe një herë tjetër në detyrat e qeverisë.

Edhe pse iniciativa e Ministrisë së Shëndetësisë për të liruar grosistët nga humbjet për shkak të çmimit të euros, edhe pse ideja për të nxjerrë në treg listën e re të barnave më 1 janar 2010 u proklamua që në nëntor të vitit të kaluar, përsëri lista e barnave do të ndjekë ritualin e përvitshëm. Ajo do të hyjë në fuqi në stinën e pranverës dhe jo të dimrit, ashtu siç ishte parashikimi i specialistëve të shëndetësisë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, projektvendimi ka vajtur në Këshillin e Ministrave me ndryshimet dhe gjithçka tjetër sipas kritereve dhe kërkesave të vendosura nga Ministria e Financave.

Ndërkohë që Financat kërkuan që të shkurtohej fatura financiare, Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave me Rimbursim plotësoi kërkesat e financave duke gjetur një rrugë të mesme, për të mos kufizuar listën, por edhe për të shkurtuar shpenzimet.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, lista e re ka arritur të propozojë pothuajse të njëjtat ilaçe që ishin pjesë e saj edhe në vitin 2009, ka disa ndryshime të vogla, por nuk ka kufizime apo shkurtime që do të preknin ndjeshëm kategoritë e pacientëve kronik, që janë dhe përfituesit më të mëdhenj nga rimbursimi.

Në listën e barnave me rimbursim janë përfshirë rreth 20 ilaçe të reja, të cilat do të shkojnë kryesisht për moshën e tretë, të sëmurët me zemër, tension, diabet, sëmundjet nervore, pacientët me sëmundje të gjakut.

Sindikata e Pensionistëve është në pritje të publikimit të kësaj liste, për të bërë më pas të gjitha kërkesat dhe ankesat për plotësimin e mëtejshëm të rimbursimit, apo për të dhënë si çdo vit, mendimet e tyre lidhur me cilësinë dhe efektivitetin e barnave të kësaj liste.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›