E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyqani patriotik i Frashërit, asnjë produkt nga Serbia

Biznes&politikë Nisma e marrë një vit më parë i ka ecur mirë qytetarit të Prishtinës

Endriti dhe e dashura e tij, Blerina, dolën nga dyqani duke u konsultuar mes vete këtë të hënë. Ata shfaqën habinë kur në njërin prej dyqaneve të lagjes “Dardania” në Prishtinë nuk gjetën asnjë produkt të prodhuar në shtetin serb. Por, ata gjetën atë që kërkuan. Qeset e tyre ishin të mbushura me produkte të cilat ata i blenë, pa vërejtur asnjë mangësi në zgjedhje. Atyre nuk u mbeti në hak pronari i dyqanit “Arjeta” në “Dardani”, Frashër Krasniqi. Në mungesë të produkteve serbe këta dy konsumatorë u furnizuan pa pengesë me produkte të vendit dhe produkte të importuara nga vendet e tjera të rajonit të përdorura si alternativë dhe zëvendësim i produkteve me barkodin “860”. Në dyqanin e Frashërit zënë vend mbi 2 mijë artikuj ushqimorë, por jo edhe ato nga Serbia. Të gjitha produktet që nisin me barkodin “860” në hyrje të dyqanit ndalohen me një mbishkrim në të cilin thuhet: “Nuk mbajmë produkte të Serbisë”. Qëkur kishte hapur dyqanin tregtar, më 2008, Frashëri ishte i mendimit që t’ua kthejë hakun e bllokimit të produkteve nga Kosova shtetit serb dhe atij boshnjak. Për të nuk ka vështirësi gjetja dhe rivendosja e prodhimeve serbe me ato vendëse dhe nga vendet përreth. Për rreth 99 për qind të produkteve serbe ai ka gjetur zëvendësimin.
“është e lehtë me gjet zëvendësime nga Maqedonia, Turqia, Shqipëria, por edhe me prodhime vendore”, thekson Frashëri për “Kohën Ditore”. Ai thotë se klientët e kanë pritur mirë nismën për bojkotimin e produkteve të Serbisë dhe se mungesa e këtyre produkteve nëpër raftet e dyqanit ka ndikuar pozitivisht në numrin e klientëve. “Ka raste kur konsumatorët vijnë nga qendrat më të largëta vetëm pasi kanë dëgjuar se nuk mbaj produkte serbe”, thotë ai. Frashëri tregon se shpërndarësit e mëdhenj të mallrave shumicën e artikujve i kanë të importuara nga Serbia. Jo rrallëherë këto mallra i janë ofruar edhe atij, por Frashëri i ka kthyer mbrapsht. Kjo nismë e Frashërit nuk po përkrahet edhe nga institucionet shtetërore. Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është thënë se problemi me bojkotimin e produkteve serbe është më shumë problem politik sesa tregtar. Në kohën kur timonin e marrëveshjes CEFTA e mban në dorë Serbia, Republika e Kosovës e ka edhe më të vështirë eksportimin e prodhimeve të veta në vendet pjesëmarrëse të kësaj marrëveshjeje. Në këtë marrëveshje Kosova ende është e prezantuar si UNMIK, e jo si shtet në vete. Mallrat me vulë të Kosovës nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër Serbi e Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa prodhuesit kosovarë detyrohen që mallrave të tyre t’u shtojnë etiketa ekstra për t’i kaluar nëpër këto shtete apo edhe t’i kalojnë nëpër rrugë të reja duke rritur kështu koston e prodhimit të tyre. Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se nismat për bojkotimin e produkteve serbe nuk mund të jenë shumë të efektshme të arritjen e kthimit të borxhit ndaj shtetit serb për bllokadën e bërë prodhimeve të Kosovës. Mbishkrimi në dyqanin e Frashërit: “Nuk mbajmë produkte të Serbisë”, nuk është vënë rastësisht. “Këtë moto e kam vënë jo që të kem përparësi ndaj dyqaneve përreth, por që edhe ato të bashkëngjiten në këtë nismë”, ka thënë Frashëri.

Marrë me shkurtime nga “Koha Ditore”

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›