Listat e zgjedhësve pastrohen nga dublimet, Poni: Janë 3.2 milionë zgjedhës

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinad Poni ka njoftuar sot të rejat e punës me listat zgjedhore.
Sipas tij, është kërkuar të zbatohet në mënyrë rigoroze numri i zgjedhësve për qendër votimi. Ndërkohë që në 12 dhjetor Drejtoria e Gjendjes Civile ka shpërndarë listat e zgjedhësve.
Sipas Ponit, është punuar shumë mirë me listën e shtetasve mbi 100 vjeç. “Gjatë kësaj kohe kanë konfirmuar se janë gjallë 200 vetë”- tha ai.
“Në datë 12.12.2012 janë dërguar në zyrat e gjendjes civile për kontroll 7,674 rekorde të dyshuara si të dubluara. Mbi këtë listë deri në datë 01 mars 2013 janë kryer operacionet e mëposhtme: Për 1627 persona kemi informacion nga Zyrat e gjendjes civile që nuk janë dublime. Janë pastruar apo bllokuar si dublime 1922 rekorde të dyshuara. Kanë aplikuar për letërnjoftim ndërkohë, pra nga data 12.12.2012, 694 persona. - Pas gjenerimit të ekstraktit të datës 3 mars, rezultojnë akoma 3,431 rekorde të personave të dyshuar si të dubluar, pra që zyrat e gjendjes civile janë akoma në proces verifikimi. Vëmendja e shërbimit është përqendruar që në bashkëpunim me kryetarët, të respektohet absolutisht dhe rigorozisht ligji përsa i përket numrit të lejuar të zgjedhësve për qendër votimi. Zyrat e gjendjes civile po punojnë gjithashtu edhe për minimizimin e personave me adresë të pasaktë zgjedhore; qendër votimi ndryshe nga familja; adresë e pacaktuar e shtëpisë brenda qendrës së votimit; adresë e pautorizuar e qendrave të votimit etj”, thotë ai.