E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat zgjedhore, rrotullim rreth vetes

E mbani mend se kur u shfaq për herë të parë problemi i listave zgjedhore të pasakta? E mbani mend kur qeveria miratoi ligjin për kartat e identitetit për ta zgjidhur problemin e listave të pasakta?

Këto dy ngjarje ndodhën përkatësisht nëntë dhe shtatë vite më parë. Listat zgjedhore të pasakta në shkallë të gjerë, pra aq të pasakta sa të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve, qenë një fenomen i identifikuar në zgjedhjet për pushtetin vendor të zhvilluara në tetor 2000. Për ato që nuk e mbajnë mend, ngjarja ndodhi pak a shumë kështu: Qytetarët dhe fshatarët e Shqipërisë shkuan për të votuar dhe një pjesë e tyre gjeti emrin e vet të shkruar gabim, gjeti vendbanimin të zhvendosur, etj. Një hetim i kryer nga ndërkombëtarët pak muaj më vonë vërejti se gabime të tilla preknin një pjesë të konsiderueshme të votuesve.

Që nga ajo kohë, kanë kaluar katër palë zgjedhje dhe plot nëntë vjet. Pas çdo pale zgjedhjesh, ka pasur premtim për ta zgjidhur problemin. Por sot, vetëm tre muaj para zgjedhjeve të pesta që nga viti 2000, Shqipëria është sërish në rrezikun e turpërimit para zyrtarëve të BE-së. Jo vetëm kaq, por problemet e stërzgjatura me listat zgjedhore dhe dokumentet e identifikimit të votuesve, i kanë dhënë Shqipërisë statusin e një vendi primitiv, një shteti rudimentar, statusin e një popullate aborigjene që nuk di të shkruajë e të lexojë. Natyrisht që kjo nuk është e vërtetë. Shqipëria nuk është në Afrikë, as në ishujt e Paqësorit. Për sa kohë ka pasur shtet, ka pasur edhe lista nënshtetasish. Këtë e di çdokush përveç politikanëve. Nëpër zyrat e Brukselit apo Strasburgut, duket se politika jonë ia ka dalë të bindë zyrtarët e BE-së se problemet e Shqipërisë vijnë më së shumti nga prapambetja, jo nga paaftësia e klasës politike.

Sot, pas njëzet vjetësh tranzicioni drejt demokracisë, duket mision i pamundur të identifikosh qoftë edhe një palë zgjedhje të rregullta.

"Ne kemi shumë cilësorë për zgjedhjet", na shpjegonte një zyrtar i lartë i BE-së. "Ato duhet të jenë të lira, të ndershme, të mirëorganizuara, të zhvilluara në një klimë të qetë".

Duke marrë parasysh këta cilësorë, duket se kemi bërë një hap para dhe një hap prapa. Fitojmë ndershmërinë, humbasim organizimin e anasjelltas. Por kjo është një çështje tjetër.

Lista e zgjedhjeve të vitit 2000 përmbante gabime për shkak se quhej "regjistri i përkohshëm i zgjedhjeve", pra një dokument që hartohej gjithmonë me nxitim pak muaj para zgjedhjeve dhe regjistronte qytetarët derë më derë. Ky qe një regjistër i ndryshëm nga "regjistri themeltar i shtetasve". Krijimi i regjistrit të përkohshëm u arsyetua me faktin se lëvizjet demografike kishin qenë marramendëse gjatë dekadës së parë pas rënies së komunizmit. U deshën disa palë zgjedhje dhe ndonjë dyzinë vitesh që të kuptohej më në fund se lista e përkohshme qe një gabim i rëndë. Por me t‘u hequr qafe regjistri i përkohshëm dhe zbatimi i regjistrit themeltar të shtetasve, problemi mbeti njësoj. U tha se certifikatat e lindjes, të cilat përdoreshin nga votuesit si mjet identifikimi, ishin të falsifikueshme. Për këtë arsye, u vendos që këto certifikata të prodhoheshin me numër serial dhe me elementë sigurie të ngjashme me paranë. U duk se problemi u zgjidh, por nuk qe kështu. Pas kësaj u tha se kryekomunarë dhe kryebashkiakë në të gjithë vendin qenë angazhuar në lëshimin e certifikatave të lindjes për militantët e njërës apo tjetrës parti. Problemi mbeti i njëjtë. Ndërkohë, nëpër Evropë na doli nami si një popull që nuk ka dokument identifikimi, që jeton me dhitë në mal dhe që nuk ka nevojë as për mbiemër.

Gjithsesi, me t‘u parë që shteti nuk funksiononte, u vendos që në vend të rregullimit të shtetit, të rregulloheshin qytetarët. Këtu u shfaqën kartat e identitetit. Ligji përkatës për shpërndarjen e kartave si mjet identifikimi i padublikueshëm, u miratua në vitin 2002. Që nga ajo kohë, kaluan dy palë zgjedhje vendore dhe një palë zgjedhje të përgjithshme, në total plot shtatë vjet. Në fund, pesë muaj para zgjedhjeve të këtij viti, u duk se mrekullia mbërriti. Por nuk qe kështu. Me gjithë teknologjinë më të fundit, megjithëse kartat e identitetit biometrike nuk i ka Italia, Anglia dhe Franca dhe i ka Shqipëria, sërish nuk ka garanci që zgjedhjet do të jenë "të lira, të ndershme, të mirëorganizuara, të zhvilluara në një klimë të qetë". Nuk ka asnjë shpresë që 700 mijë shqiptarët që nuk kanë pasaportë, të pajisen deri në qershor me karta identiteti dhe ka arsye për të besuar se mbështetës të njërës apo tjetrës parti do të mund t‘i marrin kartat pa pasur nevojë të qëndrojnë në radhë të gjata. Në tërësi situata duket e pashpresë. Pavarësisht angazhimit të teknologjisë më të fundit, problemi shqiptar mbetet i thjeshtë dhe primitiv. Qeveria nuk dëshiron që ky vend të ketë zgjedhje të rregullta. Historia e listave zgjedhore shqiptare përputhet më së miri me deklaratën legjendare të Milton Friedman: "Zgjidhja që zakonisht qeveria i jep një problemi, është po aq e keqe sa vetë problemi". Pa dyshim e ka pasur për qeverinë amerikane. Për atë shqiptare, zgjidhja është më e keqe se vetë problemi. Shqiptarët duket se nuk kanë një problem me mungesën e mjeteve të identifikimit. Kanë një problem më të rëndë me klasën e tyre politike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›