Filmi kosovar për hebrenjtë, në konkurrim ndërkombëtar
Kosova do të përfaqësohet në Festivalin e Kanës me filmin dokumentar "Fisnikët e botës". Tragjedia e hebrenjve të Luftës se Dytë Botërore duket se ka thyer mendjen e opinionit amerikan për fisnikërinë e shqiptarëve gjatë kësaj lufte, të cilët ushqyen dhe mbrojtën popullsinë hebrenje në kohën kur atyre iu kërcënohej shfarosja nga nazizmi. Festivali i sivjetshëm, "The New York International Independent Film and Video Festival", përmbylli punimet me vlerësim shumë pozitiv për konkurrimin e filmit kosovar "Fisnikët e botës", me skenar dhe regji të Mrika Krasniqit. Filmi u vlerësua i suksesshëm për shpalosjen e vlerave humane të kosovarëve, si bujaria, besa, kodi i nderit të shqiptarëve, për dhënien e ndihmës pa rezervë popullit të përvuajtur hebre gjatë holokaustit, cilësi këto që ne si komb nuk i kishim treguar më parë. Kritikët e festivalit u shprehën të mahnitur me trajtimin e kësaj teme, që deri më tani ka qenë e panjohur për botën dhe ky film nuk është vetëm artikulimi i vlerave të kombit shqiptar, por është një detyrë fisnike që hedh në dritë të vërtetën për vuajtjet e hebrenjve dhe popujt e rrallë që i ndihmuan ata në kohët më të vështira. Këto vlera artistike, të paraqitura përmes syrit të kamerës së regjisores Krasniqi, arrijnë të fitojnë besimin e organizatorëve të festivalit të Nju Jorkut, të cilët nominuan zyrtarisht filmin kosovar "Fisnikët e botës" për konkurrim zyrtar në Festivalin e famshëm të Kanës, në kategorinë e filmave dokumentarë që do të mbahet sivjet në muajin maj.