E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali Shqiptar, një traditë e gjallë në Amerikë

Kisha ortodokse shqiptare "Fjetja e Shën Marisë" në Uster Masaçusets (SHBA), ka nisur përgatitjet për zhvillimin e edicionit të 14 të Festivalit Shqiptar, që do të mbahet në fillim të muajit qershor. Aktiviteti që organizohet çdo dy vjet, bashkë me rritjen në numër të bashkatdhetarëve shqiptaro-amerikanë, shpreh edhe interesimin e shumë vizitorëve. Rreth 13 mijë veta e vizituan Festivalin Shqiptar në vitin 2007 dhe organizimi i edicionit të 14 duket se është në rrugë të mbarë. Provat e valltarëve "Grupi i të rinjve të Shën Marisë", një grup amator, ku bëjnë pjesë nxënës nga shkollat e mesme të qytetit dhe studentë, kanë filluar. Te këta të rinj gjen energjinë dhe dëshirën për të punuar së bashku në krijimin e numrave koreografikë. Kristia Xhai, një nga vajzat e grupit, tregon me gëzim se i erdhi përsëri radha shfaqjes së kostumit popullor të stërgjyshes së saj nga fshati Dardhë i Korçës. Jo vetëm Kristia, që mban një dhuratë të çmuar mbi një shekullore në familjen e saj, por edhe të tjerë djem e vajza kanë në shtëpitë e tyre kostume popullore të krahinave prej nga ata vijnë. Ndërsa kur vjen radha e festës, këto kostume janë pjesë jo vetëm e valleve tradicionale që prezantohen në skenë, por edhe e kureshtjes për spektatorët. Me dëshirën e ndihmës dhe me detyrën e koreografit, vjen nga Bostoni në Uster z. Dhimitraq Demiri, dikur një nga valltarët e spikatur të Ansamblit Folklorik të Korçës. Pasi dëgjon me vëmendje dhe shikon materialet e sapopërgatitura nga të rinjtë, shprehet se e emocionon dëshira kaq e madhe e këtyre djemve dhe vajzave për të sjellë vazhdimisht diçka të re dhe të freskët. "Ndryshe nga dy vite më parë, ata më duken më të pjekur dhe si të ishin profesionistë tek ata sheh seriozitetin për të punuar, dashurinë për muzikën, vallet tona dhe për më tej përgjegjësinë për t‘u paraqitur sa më mirë. Ky sukses ndoshta do të bëjë më tej që ata edhe të zhvillojnë turne shfaqjesh në diasporë", shton ai. Ndërsa z. Frankli Zdruli, përgjegjës për grupin artistik dhe mbarëvajtjen e zbavitjes së Festivalit Shqiptar të Usterit, tregon se "përfaqësuesit e këtij grupi shpenzojnë mjaft kohë dhe japin ndihmën e tyre vullnetare për aktivitete të tilla". Në rrjedhën e dhjetëvjeçarëve të fundit, Festivali Shqiptar i Usterit është kthyer në një qendër të re njohjeje mes emigrantëve shqiptarë në Amerikë. Ai tërheq vizitorë të shumtë me traditën e kuzhinës, me muzikën dhe vallet popullore, e më së shumti me atë gjallëri dhe hare festive që i karakterizon bashkime të tilla mes shqiptarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›