E Shtunë, 31 Tetor 2026

VOTA E MINATOREVE E KA EMRIN STATUS

Të flasësh për minatorët, për punën e tyre, për vuajtjet, hallet, sëmundjet, po pse jo, edhe për vdekjet tragjike dhe të panumërta, por të panumëruara të tyre, do të thotë së paku, që pa miratuar statusin e minatorit (pavarësisht nga ligjet që bëhen për lustracionet, kompensimet e ish të përndjekurve dhe ish- pronarëve), nuk ke arritur asgjë në demokraci, nuk ke arritur që të bësh akoma një apologji të vërtetë të të gjitha fatkeqësive që u ka shkaktuar minatorëve shteti komunist, që u përmbys dhe ky "demokratiku", që po ndërtojmë. Madje, nëse në referim të së shkuarës, ne minatorët do flisnim për persekutorë, sot shumë më keq akoma, po ata ish-gjoja komunistë, pasi në fakt nuk ishin komunistë, por kuadro të zellshëm karrieristë të diktaturës, sot pecomëdhenj të demokracisë Berisho-PD-iste, së paku duhet të kishin miratuar statusin e kësaj shtrese kaq shumë të persekutuar dhe të vuajtur, që të mund të quheshin diçka tjetër nga ish-komunistët, se ndryshe nuk ke të drejtë të quhesh demokrat dhe sistemi shoqëror që po ndërton ky burri (Kryeministri Berisha) nuk është një demokraci e vërtetë, por një shëmbëlltyrë informale e saj.

E shikojmë që kjo nuk shqetëson më pothuajse asnjë nga politikanët qeverisës dhe ish-qeverisës, nuk shqetëson asnjë nga ish-sindikatat hajdute, shërbëtore të qeverive apo lakej të pushteteve, madje të pashqetësuar gjenden dhe një pjesë e atyre që duke qenë paksa, apo duke mos qenë fare minatorë, por që gëzojnë ndonjë pension të pamerituar apo të përlarë me vërtetime false, sabotojnë çdo orvatje për të fituar statusin e vërtetë të minatorit, pa u menduar shumë se me këtë qëndrim nuk dëmtojnë vetëm shokët e tyre të zgafelleve, por bëjnë harakiri dhe për veten e tyre, pasi nuk do të vonojë ajo ditë kur do të përgjigjen për të gjitha bëmat e tyre. Zoti i ndjeftë bëmëvegjlit e joshur nga bëmëmëdhenjtë!

Që minatorët në të gjithë botën kanë një status të veçantë për punën e vështirë që bëjnë, ky tashmë është një realitet jo vetëm për vendet e zhvilluara. Që minatorët kanë një trajtim të veçantë për vuajtjet që kalojnë, për sëmundjet që mund të marrin, për jetët e lëna dhe për riskun më të lartë të jetës e shëndetit, që mbartin duke punuar nën tokë, pra në mungesën e dritës se diellit dhe të ajrit të pastër, në një ngushtësi të frikshme hapësire, nën rrezikun permanent të shembjes ose shpërthimeve të gazit, në një lagështi shkatërruese në raport me qytetarët e tjerë të rruzullit, pa diskutim që cilado mendje normale qeverisëse do ta pranonte statusin e tyre, si një e drejtë e tyre dhe jo si një dhuratë apo nder, pasi kjo realisht do të kuptohej dhe do të ishte një domosdoshmëri e integrimit të tyre të barabartë me të tjerët njerëz në një shoqëri të emancipuar evropiane.

Në Shqipëri, fatkeqësisht, ky status nuk i është akorduar akoma kësaj shtrese kaq shumë të persekutuar të shoqërisë. Që të rinisim tani të tregojmë edhe një herë se sa shumë herë më të vuajtur ishin (por fatkeqësisht edhe janë) minatorët shqiptarë në raport me të tjerët kolegë të tyre në botë, pa diskutim kjo do të më hante shumë kohë dhe nuk do të sillja ndonjë gjë më të re, sesa atë që kanë thënë disa të persekutuar politikë (si i ndjeri Halil Laze, ish-gazetar i "Sindikalistit"), të cilët kur shkuan të punonin në minierën e Spaçit, iu lutën persekutorëve, që mundësisht t‘i rikthenin prapë në burgun e famshëm të Burrelit. Pra kjo ishte miniera, këtu punonin minatorët, të cilëve sot z. Sali Berisha nuk do që t‘u japë statusin e tyre.

Po t‘u referohemi përpjekjeve tona për të fituar atë që na takon, do të shikojmë që vetëm brenda 2 viteve të riorganizimit të Sindikatës së Minatorëve "Janar 91" janë krijuar të gjitha degët në rrethe, (p.sh vetëm në Tiranë ka 46 nëndegë), janë zhvilluar 54 protesta në të gjithë Shqipërinë, të shoqëruara këto përherë me kërkesat për dialog me qeverinë, kulmi arriti me grevat e urisë, ku greva e urisë në Tiranë shënoi momentin më të dhimbshëm të kësaj lëvizjeje. Qeveria ka bërë qorrin, shurdhin, memecin dhe horrin kërcënues kur është ndjerë keq. Nuk është realizuar asnjë takim serioz me qeveritarët shqiptarë, nuk është përpjekur askush të dëgjojë, të bisedojë dhe pastaj të konkludojë për këto kërkesa, pa përjashtuar këtu as prononcimin bombastik të Presidentit të Republikës, kur në një moment emocional në vdekjen e radhës të minatorit në Bulqizë, tha se: "Juve ju takon dhe do ta merrni me siguri statusin tuaj të minatorit, unë do t‘ju ndihmoj. Ky kryeshtetari trim, pa u tharë akoma boja në gazeta apo pa u fashitur jehona në televizorë, ndoshta nga ndonjë tërheqje veshi e Kryeministrit, harroi çfarë kishte premtuar në Bulqizë, iu fsheh minatorëve grevistë të urisë, të cilët iu ngujuan bash m‘u tek porta e Presidencës dhe që me hedhjen poshtë nga mazhoranca parlamentare të projektligjit për statusin e minatorit, po u fshihet gjithë minatorëve të Shqipërisë, pasi ose nuk ka fuqi të negociojë me qeverinë, ose nuk ia var njeri, ose ç‘është më e keqja nuk do dhe në Bulqizë na paskërka gënjyer ose na ka tallur.

Në këto kushte të pashpresa, me këtë qeveri dhe këta lloj qeveritarësh apo edhe shtetarësh, në një shpërfillje përbuzëse dhe fyese të tyre karshi minatorëve, në një moment që presim dita-ditës të vetmin shpëtim në këtë jetë, atë që të vdesim nga uria, lind vetvetiu pyetja: Për cilët duhet të votojnë këta minatorë? Zotërinj kësaj radhe minatorët do të votojnë për veten e vet. Vota e tyre e ka emrin STATUSI I MINATORËVE, ata do të votojnë për një qeverisje të shërbesës. Mjaft ishim shërbëtorë të pushteteve, tani kemi vendosur që me të gjitha forcat tona të sjellim në pushtet atë qeveri që do të na shërbejë neve, pra t‘u shërbejë minatorëve, por edhe gjithë këtij populli të shumë vuajtur. Zoti Berisha, ju na bëtë armiq pa jua pasur borxh, ju më 28 qershor do të shikoni se do të humbisni bastin me minatorët, madje nuk është çudi, që të humbisni edhe bastin me historinë. Një thirrje më del nga shpirti: O popull, mjaft votuat për kryetarë partish pa parti dhe pa elektorat, dhuntia e vetme e të cilëve deri tani ka qenë dhe është servilizmi karshi shefave të partive të mëdha! Mjaft votuat për thasët me miell apo për pesëmijë lekëshet që merrni për mitingje apo dhe për vota! Keni 20 vjet në skamje, në vuajtje, halle dhe totalisht të gënjyer dhe të fyer. Mjaft më me kësi lloj votash, por që të mos jetoni më kështu, që të ndryshoni jetën tuaj, që t‘i afroheni sa më shumë prosperitetit dhe Evropës, mendoni dhe votoni për veten tuaj, për ata që janë provuar se dinë të ndërtojnë, për ata që janë në gjendje t‘ju ndryshojnë! Votoni pra për një politikë realisht të re, politikën e të menduarit dhe të vepruarit jo me mllefe, jo me slogane por për politikën, që di të bëjë punë dhe nuk ka turp t‘ju shërbejë juve! Kësaj radhe e keni me të vërtetë në dorë një shans, atë që të bëni ndryshimin e madh.

Miq të mirë dhe të urtë minatorë, vetëm më 28 qershor ju jepet rasti të fitoni statusin tuaj, të fitoni një pension shumë më të denjë se ky që gëzoni sot, keni rastin që edhe ju të jetoni si njerëz. Votoni pra kundër kësaj qeverie, votoni për veten tuaj, votoni për hapësirat e reja të fëmijëve tuaj, që ju ofron dhe ju siguron politika e re që po ju troket te dera. Pra miq shumë të mirë minatorë të të gjithë Shqipërisë, slogani ynë i vetëm kësaj here do të jetë: "VOTAT TONA E KANË EMRIN STATUS" dhe ne do ta fitojmë me të vërtetë atë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›