Edi Rama, armiku i rrugës, mund të flasë për Bregoviçët e tij, por jo për flamur kombëtar

PD reagon ndaj deklaratave të bëra në Kukës të kryetarit të PS-së. Rama dje në Has, sërish nuk e vizitoi rrugën Durrës - Kukës
TIRANE - Partia Demokratike e konsideron si të turpshëm veprimin e Edi Ramës, i cili zhvilloi një vizitë në Kukës, mirëpo nuk e mori mundimin që të kthente as kokën nga vepra gjigante, autostrada Rrëshen-Kalimash. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, deklaroi se Edi Rama nuk e mori guximin të vizitonte segmentin më të rëndësishëm të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, por nga ana tjetër me një hipokrizi totale, u mundua të manipulonte banorët e Kukësit se ai dhe partia e tij nuk kanë kundërshtuar ndonjëherë ndërtimin e kësaj rruge!
“Edi Rama ishte në Kukës, por i tmerruar dhe i turpëruar për përfundimin e rrugës nuk guxoi as të kthente kokën prej saj. Edi Rama mendoi se kishte përpara tij hunj të kuq, kujtonte se i fliste jo qytetarëve të Kukësit por hunjve të kuq kur u deklaroi se ai dhe Partia e tij nuk kishin qenë kundër rrugës. Atëherë të gjithë shqiptarët le ti shtrojnë një pyetje Rama. ‘Përse në 8 vjet me radhë Partia jote jo vetëm që nuk e filloi rrugën por bëri asnjë kilometër të saj? Ku shkuan z. Rama 200 milionë dollarë taksë në vit që u vendos nga qeveria jote në kohën kur ti ishe ministër dhe asnjë qindarkë e saj nuk u përdor për këtë qëllim? Përse ke frikë të vizitosh rrugën që së shpejti përfundon? Përse të tmerron korridori i Shqiptarëve?’. Së fundi Rama i deklaroi qytetarëve të Kukësit se rrugën do ta përfundojë me koçot e tij. U zotua se do të zëvendësonte Bechtelin me Koço Kokëdhimën në mënyrë që rruga të vinte në standardet e Ramës. Armik i rrugës, nuk mund të flasësh për flamurin kombëtar, mund të flasësh për çelsat që i dhuron Bregovicëve të t’u, por jo për flamur kombëtar”, përfundoi zëdhënësja e PD-ës.
Ndërkohë, dje sërish Edi Rama vazhdoi turin e tij në Qarkun e Kukësit dhe nga Hasi ku ishte, ai nuk e mori mundimin të vizitonte punimet e rrugës Durrës - Kukës.