E Diel, 1 Nëntor 2026

Listës së të prekurve mund ti shtohen dhe 8 raste të reja

24/07/2009  Gripi i derrave

Institucionet shëndetësore po analizojnë të tjera mostra, për të cilat ka dyshime të forta se mund të jenë mbartëse të virusit të gripit të derrave. Gjatë vizitës në portin e Durrësit dhe në aeroportin “Nënë Tereza” ministrja e Shëndetësisë Anila Godo ka deklaruar se tashmë janë edhe tetë raste të tjera, të cilat po analizohen në laboratorët e referencës, pasi paraqesin simptoma të ngjashme me ato të gripit të derrave. Ajo ka shtuar se gjendja e tyre klinike është shoqëruar me një temperaturë e lehtë - 37,2 gradë. "Disa ditë më parë në këtë spital janë trajtuar 8 të sëmurë të dyshuar për gripin e derrave, katër prej të cilëve kanë dalë krejtësisht të shëruar. Katër të tjerë, kryesisht të moshave të reja dhe të mesme, po trajtohen ende nga ana mjekësore, ndërsa priten edhe rezultatet e analizave të kampionëve të marrë prej tyre", - ka pohuar Godo. Megjithatë, sipas ministres ka edhe shumë raste të tjera, të cilat mund të shfaqin komplikacione të ngjashme, por s’është e thënë të jenë detyrimisht të prekur nga ky infeksion, pasi çdo ditë urgjencat e spitaleve përballen me trauma, probleme që kanë të bëjnë me diellin, infeksione të lëkurës, me ujin apo rrugët e frymëmarrjes. Lidhur me afatin e skadencës së antiviralit “Tamiflu”, Godo ka pohuar: “Kemi një sasi që në kuti plotëson datën e skadimit, por Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe kompania prodhuese na kanë thënë se, nëse është e ruajtur në kushte të mira, të domosdoshme që medikamenti të mos skadojë, mund të përdoret dhe një vit më pas. Jemi duke hetuar për këtë. Nëse në tërë zinxhirin e ruajtjes bindemi se është ruajtur gjatë kësaj kohe në standardet e duhura, mund të bëjmë dhe një provë në qendrën kombëtar te barnave. Nëse do të bindemi se një nga zinxhirët ka dalë jashtë kontrollit, ata do të eliminohen.” Njëkohësisht është deklaruar se antivirali “Tamiflu” i shpërndarë në spitalet rajonale ka afat skadence deri në dy vjet dhe po sigurohen edhe 10 mijë doza të tjera nga subjekti prodhues.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›