Listimi i fituesve vetëm me një raund
10/02/2010 Provimet e maturës 2010, përzgjedhja do të bëhet vetëm nga preferencat e plotësuara në formularin A2
Ruajtja e rezultateve të mëparshme dhe ndryshimet në procedurën e vlerësimit
Ndryshojnë procedurat e përzgjedhjes së fituesve për Maturën Shtetërore të 2010-ës. Përzgjedhja e kandidatëve fitues tashmë nuk do të bëhet me tri apo katër raunde, por vetëm me preferencat e listuara në formularin A2, që do të plotësohet në fillim të muajit korrik. Ndryshe nga viti i shkuar, hartuesit e Maturës Shtetërore për 2010-ën kanë menduar që të përzgjedhin kandidatët fitues vetëm nga formulari A2, duke mos tejzgjatur më procesin e pranimit (me formularë të tjerë A3 apo A4, të cilët shpalleshin në muajt nëntor-dhjetor), duke penguar vitin akademik. Për rastet kur në degë të caktuara do të mbeten vende të paplotësuara, do të operohet me zbritjen e vizës së fituesve, ku do të shpallen fitues personat që janë afër me pikë me fituesin e fundit të pranuar. "Duke nisur nga ky vit do të hiqet formulari A3 dhe A4, duke bërë kështu thjeshtim të procedurave dhe eliminuar kështu vonesat në fillimin e mësimit në universitet", ka deklaruar ministri Tafaj. Sipas tij, nisja e vitit akademik do të iniciojë më 15 tetor, dhe nuk do të shoqërohet me vonesa për pranimin e studentëve në degë të caktuara. Shpërndarja e kuotave të pranimit do të rishikohet, veçanërisht për degët për të cilat tregu i punës ka më shumë nevojë.
Vlerësimet
Brenda pak ditëve pritet të publikohet e plotë dhe guida e Maturës Shtetërore 2010, e cila do të shpërndahet nëpër shkolla për të orientuar maturantët në lidhje me përzgjedhjet që duhet të bëjnë për ndjekjen e shkollës së lartë. Një tjetër risi që do të prekë këto provime do të jetë edhe procesi i korrigjimit. Kjo me qëllim shmangien e ankesave për rivlerësim të testit. Kështu, një provim do të korrigjohet nga katër mësues. Në këtë mënyrë, vlerësimi do të jetë i saktë dhe i pakthyeshëm për secilin nga kandidatët.
Ruajtja e rezultateve
Njëkohësisht kandidatët që i kanë dhënë provimet me zgjedhje në vitet e shkuara të maturës, mund të garojnë për pranimet në universitete gjatë 2010-ës me ato rezultate, pa iu dashur të japin dhe një herë provimet me zgjedhje. Konkretisht, të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, rezultatet e arritura nga nxënësi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur nxënësi ka marrë vlerësim kalues vetëm njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur nxënësi kërkon ta rijapë lëndën). Nëse nxënësi kërkon t’i ruhet rezultati i mëparshëm, në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Ndërsa në rastet kur nxënësi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën. Njëkohësisht për vitet e ardhshme është menduar që Matura Shtetërore të bëhet me katër provime të detyruara, ku një ndër to do të jetë dhe lënda e anglishtes.
Tafaj detajon ndryshimet e maturës 2010
“Matura Shtetërore ka ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të shkollës së mesme dhe do të vazhdojë të ndikojë duke e çuar atë drejt standardeve evropiane. Implementimi i “Sistemit MeP” (meritë-preferencë) në pranimet në universitetet publike vendosi një standard të ri realist dhe transparent, të mbështetur në meritën dhe preferencën e çdo maturanti. Matura Shtetërore (MSH) ka realizuar deri tani një përputhje shumë të mirë midis ofertës dhe kërkesës në tregun e maturës. Përmirësimi i cilësisë së kandidatëve që preferojnë programe studimi të caktuara rrit reputacionin e universiteteve. Duke e cilësuar përgatitjen për provimet e MSH-së detyrë parësore të shkollës, ministri Tafaj garantoi se provimet e MSH-së do të jenë të mbështetura vetëm në programin e shkollës së mesme. Shkollat do të organizojnë konsultime për provimet, sipas një plani të programuar, duke mos lejuar organizimin e kurseve private. Gjithashtu Këshillimi i Karrierës për maturantët këtë vit do të marrë një bazë më të gjerë, duke përfshirë jo vetëm fushën sensibilizuese në mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe organizimin e Ditëve të Hapura për Këshillimin e Karrierës në të gjitha qarqet dhe prefekturat e vendit. Këtë vit aplikimi i formularit A2 do të jetë edhe përmbyllës për regjistrimin në Institucionet e Arsimit të Lartë. Për të shmangur tejzgjatjen e procesit të Maturës Shtetërore nuk do të ketë më formular A3 dhe A4. Formulari A2 do të plotësohet nga maturantët, pasi çdo nxënës të ketë në dorë rezultatet e katër provimeve të maturës. Këtë vit procesi i provimeve të MSH-së, ato të detyrueshme dhe me zgjedhje, do të përfundojnë brenda datës 30 qershor 2010. MASH-i garanton administrimin dhe vlerësimin korrekt të provimeve. Këtë vit do të zbatohet korrigjimi i dyfishtë dhe korrigjuesit do të jenë mësuesit më të mirë, që do të trajnohen dhe vlerësohen edhe me kredite. Për të rritur akoma më shumë cilësinë e administrimit të provimeve të MSH-së, provimet me zgjedhje do të organizohen në qendra të përqendruara në çdo qark të vendit.
Përzgjedhja e fituesve për shkollat e larta gjatë vitit akademik 2010-2011 do të përcaktohet vetëm nga formulari A2. Çka do të thotë se nuk do të ketë më raunde të tjera të plotësimit të formularëve A3 apo A4, të cilat janë vetëm një sorollatje e maturantëve për t’u pranuar në shkollë të lartë. Fituesit do të nxirren vetëm nga 10 preferencat e formularit A2.
Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje.
Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë dëftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, duhet të japin detyrimisht dy provimet me zgjedhje, për t’u pranuar në një nga degët e preferuara. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollat e mesme.
Nxënësit që në vitet shkollore 2005-2008 e që kanë dhënë vetëm provimet e detyruara, por jo provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për t’u regjistruar në degët e universiteteve këtë vit duhet të japin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme, ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë në drejtorinë arsimore të rrethit të tyre.
Gjithashtu, nxënësit që në vitet shkollore 2005-2009 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga universitetet, për t’u regjistruar këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin këto provime, përveç rasteve kur e kërkojnë vetë. Kjo kategori aplikuesish futet në garën e universiteteve edhe me rezultatet e marra më parë.