Klubi i futbollit Apolonia denoncon 4 futbollistë
10/02/2010 Për shitje ndeshjesh, kallëzimin penal ndaj Albert Kacit, Elton Grami, Erjon Hoti dhe Maringlen Shoshit
FIER- Dështimi i herëpashershëm i ekipit të futbollit fierak ka ardhur si pasojë e pazareve të bëra nga disa lojtarë të tij me shitjen e ndeshjeve. Drejtuesit e ekipit dhe kreu i bashkisë që është tashmë edhe Presidenti i ekipit të FK Apolonia denoncuan lojtarët e ekipit se kanë shitur ndeshjet, ndër të cilët u akuzua Albert Kaçi për një bast që shkonte në 10 mijë dollarë.
Akuza
Andi Derhemi në cilësinë e drejtorit të kontrollit të brendshëm të shoqërisë FK Apolonia sh. a ndër të tjera u shpreh: “Dua t’ju komunikoj se kemi marrë disa hapa konkret lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me verifikimin e përfshirjes së lojtarëve në trukimin e ndeshjeve të zhvilluara nga Apolonia. Këto ditë kemi siguruar prova se lojtari Albert Kaçi ka qenë i përfshirë në trukimin e ndeshjes zhvilluar kundër Shkumbinit në Peqin. Edhe pas analizës dhe paraqitjes së provave këtij lojtari, ai e pranoi vetë se ishte përfshirë në këtë trukim. Gjithashtu ai pohoi se në trukimin e ndeshjeve janë përfshirë edhe të tjerë lojtarë të ekipit të Apolonisë, por ai nuk pranoi t’i kallëzonte ata. Sot shoqëria ka dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Albert Kacit, Elton Grëmi, Erjon Hoti dhe Maringlen Shoshit, së bashku me provat që klubi disponon për momentin. Klubi posedon dëshmitarë dhe prova ndaj lojtarëve të mësipërm për përfshirjen e tyre në baste dhe trukim rezultati. Gjithashtu klubi është duke hetuar për lidhjet e këtyre lojtarëve me persona jashtë skuadrës, të ashtuquajtur tifozë, të cilët kanë bashkëpunuar me lojtarët e përfshirë në baste. Në të njëjtën kohë i ka kërkuar Prokurorisë, si dhe hetuesve të FSHF-së që të hetojnë rreth përfshirjes së tyre në krimin e paravendosjes së rezultateve sipas përcaktimit të nenit 197 pikat a dhe b të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Klubi ka ndërmarrë hapa serioze për verifikimin e plotë të këtij fenomeni dhe është i vendosur për zbulimin dhe eliminimin e plotë të tij”, ka vijuar Derhemi. Ndërkohë të njëjtës ide i ka qëndruar edhe shefi i klubit Apolonia Iliaz Haxhia. “Ju siguroj që çdo gjë e deklaruar më sipër është e vërtetë. Mbaj përgjegjësi të plotë për gjithçka kam thënë dhe do të them. Ka kohë që në klubin e Apolonisë dhe në qytetin tonë flitet jashtë mase për trukimin e ndeshjeve. Në mënyrë të padrejtë janë akuzuar drejtuesit, presidenti dhe stafi. Personi në fjalë është personi që ka komunikuar direkt me mua dje dhe e ka pranuar publikisht, edhe pse më vonë mund ta mohojë. Ai nuk donte të tregonte se kush ishin të tjerët, por ju siguroj që nuk është ai vetëm, por ka edhe të tjerë. Kjo gjendje është shumë alarmante tek ekipi i Apolonisë pasi trukimi i ndeshjeve është tepër shqetësues. Për të kaluar një situatë të tillë që ka përfshirë ekipin e Apolonisë kërkohet mbështetja e të gjithë tifozerisë fierake, pa paragjykime, sharje dhe ofendime”, ka thënë më tej Haxhia. Konferenca për mediat e drejtuesve të Apolonisë përveç denoncimit të skandaleve në shitjet e ndeshjeve bëri të ditur se strategjia për një ekip model të futbollit do të vazhdojë pavarësisht atyre që Zeqaj i konsideron shkopinj nën rrota”. Përgjegjësi mund të kemi ne, por përgjegjësi kanë edhe lojtarët si Kaci, etj, të cilët akuzohen dhe dyshohen për shitje të ndeshjeve. Gjithsesi ne do të vazhdojmë të financojmë dhe të mbështesim ekipin e Apolonisë për të krijuar një model në Shqipëri. Pra, Apolonia do të jetë modeli i klubeve në Shqipëri, dhe këtu nuk është momenti që unë të rendis shumë fakte që po krijojmë këtë model. Mirëpo ky i fundit nuk mund të krijohet duke pasur lojtarë hajdut ose lojtarë të padisiplinuar që mund të jenë shumë të mirë për ekipet e tjera të Shqipërisë. Opinioni publik duhet të ndërgjegjësohet që Apolonia nuk ka për të falur askënd që bën pazare në emër të klubit apo në emër të qytetit të Fierit. Ky është një moment që ne nuk do të lëkundemi dhe do të vazhdojmë të punojmë me këtë nerv, pavarësisht se në rrugë mund të na dalin edhe lojtarë që bashkëpunojnë me tifozë dhe krijojnë atmosfera të tjera duke vendosur përgjegjësinë në persona të tjerë, kur përgjegjësia është direkte. N.q.s një ekip nuk loz mirë me 11 lojtarë kur të 11 lojtarët kanë nënshkruar kontratë dhe janë stërvitur, kanë marrë ditën e punës, kanë marrë dhe shpërblimet, është e pafalshme për ta që të gjejnë streha nëpër brigadat C”, ka mbyllur fjalën e tij Zeqaj.