Rrëzë Dajtit reparti i vdekjes ose “Aushvici” shqiptar
10/02/2010 Reportazh në vendin ku u gjetën eshtrat e 19 viktimave të komunizmit
Përgjatë 50 viteve janë pushkatuar 5 mijë persona, por vetëm 600 janë gjetur
Janë marrë në mes të natës, nëpër një shteg tek i cili është frikë të kalosh dhe ditën, mes mareve dhe shkurreve halore dikur në të dalë të Tiranës. Të lidhur me pranga dhe nën dihatjen dhe sharjet e xhelatëve që po i çonin drejt vdekjes në mënyrën më barbare të mundshme.
Vendi
Ndodhet në këmbët e malit të Dajtit, në zonën e quajtur Qesarakë, dikur pranë thesarit të shtetit, në një luginë që duket sikur do t’i hyjë malit në zemër. Tashmë nga ajo çka shihet janë vetëm disa baraka me çati prej eterniti dhe një ndërtesë me tulla disi më e mirëmbajtur. Objekti përdoret për të ruajtur dokumentet e arshivës së Bashkisë së Tiranës. Vërdallë sheh vetëm një rojë dhe dy makina të parkuara që prej kush e di sa kohe. Hyrja përshkohet nga një shteg, tek i cili mund të kalojë vetëm një makinë e vogël, ndërsa më pas vetëm kodra, shkurre të dendura, e shoqëruar kjo dhe me baltën që është krijuar në këto ditë shiu. Në një ditë tjetër ky peizazh do të dukej krejt normal, madje mund të përdorej edhe për piknik, pa i shkuar mendja askujt se nëpër këto rrugina pylli fshihet një e vërtetë dhimbshme, makabre, çnjerëzore...
Reparti i ekzekutimit
Reparti duhej të jetë krijuar rreth viteve 50-të, dhe deri vonë askush prej banorëve nuk e dinte me të vërtetë se çfarë bëhej aty. S’ka shumë që u mor vesh se pikërisht në këtë vend strehohej skuadra e pushkatimit. Se diktatura për qëllime dhe meskine, kishte zgjedhur një vend shumë pranë Tiranës, me qëllim që të kursehej dhe karburanti i transportit. Një histori sa groteske, aq edhe rrëqethëse. Tashmë këto ngrehina janë aty, si për të dëshmuar rreth atyre kohëve kur njerëzit vriteshin dhe hidheshin gropave të përbashkëta për një fjalë të thënë apo të pathënë, për një veprim të kryer dhe të pakryer, apo dhe vetëm se mund të bëheshin shënjestër e Sigurimit të Shtetit.
Eshtrat
“Këtu u gjetën eshtrat e para”. Fatos Progni, nga Shkodra, prej disa kohësh punon si rojë në këtë objekt, dhe në kushtet e krijuara zgjedh që të jetë udhërrëfyesi ynë. E njeh me pëllëmbë të gjithë repartin dhe na tregon me gisht vendin ku burrë e grua u gjetën gjatë gërmimeve të një prej familjarëve. Siç morëm vesh më vonë, ishte Jovan Plaku, djali i Koço Plakut, ish-inxhinier nafte, i pushkatuar në vitin 1976. Vendi ku u gjetën eshtrat ishte i mbushur me ujë. “Dje ngado mund të shihje eshtra dhe sende personale të të pushkatuarve, por zona u kreh nga hetuesia... Sot mund të ketë mbetur diçka tek-tuk”, shprehet Fatosi. Dhe vërtet, fare pranë vendit ku ishin gjetur kufomat, sytë na zënë një copë fustani, paksa të çngjyrosur nga koha. Një copë ngjyrë blu me disa vija të holla të kuqe, tipike e ish copave të kombinatit tekstil. Çfarë krimi aq të rëndë kishte bërë ajo grua, për të pasur një fund të tillë?
Viktimat ishin varrosur në një distancë prej rreth pesë metrash nga njëri-tjetri. Gjithsej 19, ose aq kishte mundur të zbuloheshin në gërmimet e para. Lugina ndahet në dy shtigje dhe dyshime ekzistonin se viktima ishin varrosur dhe në pjesën perëndimore të repartit.
Hetimet
Së shpejti aty do të fillojnë gërmime dhe për gjetje viktimash të tjera. Dhe ky vend duhet të jetë i mbushur plot. Në vitet e regjimit të saj, mendohet se diktatura vrau dhe pushkatoi rreth 5 mijë persona, një shifër tejet e madhe për numrin e popullsisë së këtij vendi. Deri më sot janë gjetur vetëm 600 prej tyre, dhe më të fundit ishin ato që u gjetën para dy ditësh rrëzë Dajtit. Hë për hë, askush nuk e di se përse janë ekzekutuar ata persona, por sidoqoftë, gjithsecili që ka ardhur në këtë botë, ka të drejtën e të paktën një varri, një e drejtë themelore që na e ka dhënë Zoti. Por ja që xhelatët komunistë këtë të drejtë nuk e njihnin. Për të fshehur krimet e tyre, ata e kthyen këtë vend në një varr masiv, ndërsa nga frika se mos u ikte pushteti, e shndërruan këtë vend në një burg gjigant. Gjithsesi, gjetja e këtyre eshtrave është një kumbim për veshët e shoqërisë shqiptare që të kujtojnë atë kohë, atë regjim. Eshtrat që u gjetën në kryeqytet janë vetëm fillimi, shumë të tjera akoma presin të shohin dritën e së vërtetës dhe një vend ku të gjithë ne t’i shohim dhe t’i kujtojmë.
Dyshime për të tjera varre në repartin e Dajtit
Pirgu u gurëve, 30 metra mbi ndërtesën e ekzekutuesve
Progni: “S’munda t’ia tregoj prokurorisë, pasi nuk isha kur ata erdhën”
“Atje lart, është një grumbull gurësh në formë varri, e kam vënë re një ditë teksa shkoja për të mbledhur dru për sobën”. Fatos Progni na tregon se vetëm 30 metra mbi kabinën ku kishte qëndruar skuadra e pushkatimit, dhe që para dy ditësh u përdor për të sistemuar eshtrat e të gjeturve, kishte parë diçka të pazakontë me peizazhin që ofronte lugina ku gjendej reparti. Në faqen lindore të tij, në mes të asgjësë gjendej një grumbull gurësh, të sjellë prej nga kush e di se ku. Ishin gurë lumi, dhe për vendin ku gjendeshin nuk mund të përdoreshin për ndërtim. “Atë ditë që erdhi hetuesia unë nuk isha në turn, kështu që nuk munda t’ua tregoja, ndoshta mund të vlejë për diçka”, shpjegon Fatosi. Ecim përmes shkurreve të dendura dhe vërejmë se ai pirg gurësh në atë vend ishte vërtet shumë enigmatik. “Ja kam bërë të ditur dhe atij djalit që gërmonte, por nuk patëm rastin që të vinte dhe ta shikonte vetë. Kur të vijnë për të gërmuar sërish, do t’i adresoj dhe këtu”, na thotë Fatosi. Ndoshta ai pirg gurësh nuk është asgjë, por në një vend si ky çdo gjë është e mundur, ndoshta mund të ketë dhe diçka poshtë tij. Ndoshta ata gurë janë sjellë aty për qëllime të tjera, por ndoshta mund të jetë shenja e ndonjë varri tjetër. Në atë vend çdo dru, çdo gur, çdo përrua apo shteg mund të jetë shenja e një krimi të kryer nga ajo kohë, mund të jetë dëshmitar i asaj çka ndodhur në ato kohë të errëta. Zbresim nga vendi që na tregoi personi në fjalë, dhe i drejtohemi daljes së repartit. Kalojmë sërish tek ajo rrugë, ku vite më parë të dënuarit nën tmerrin e natës, nën dihatjen e xhelatëve, me pranga në duar po shkonin drejt vdekjes së sigurt, të varrosur në gropa të përbashkëta, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Një veprim që mund ta bëjnë vetëm diktaturat komuniste dhe në emër të atij ideali fals, që na mbajti në terror për 50 vjet me radhë.