Lituania do ta përkrahë Kosovën në rrugën evropiane

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Audronius Azubalis, vendi i të cilit kryeson me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Azubalis shprehu gatishmërinë e vendit të tij për bashkëpunim dhe tha se Lituania do ta përkrahë Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane, si dhe do t’i ndajë përvojat dhe ekspertizën e integrimit.
Ai tha se edhe OSBE-ja do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën dhe institucionet e saj dhe shfaqi interesimin e tij për të drejtat e komuniteteve në Kosovë dhe për trashëgiminë kulturore në vend.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e falënderoi ministrin Azubalis për mikpritjen që Lituania i ka ofruar gjatë vizitës, ku mori pjesë në konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”.
Ajo e vlerësoi të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në OSBE në një të ardhme të afërt.
Presidentja Jahjaga tha se misioni i OSBE-së në Kosovë, në kuadër të kornizës së tij, ka ofruar mbështetje në fusha të ndryshme përfshirë përkrahjen në reformën e ligjit zgjedhor, në funksionimin demokratik dhe ndërtimin e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës si dhe në avancimin e rendit dhe ligjit,
Ajo tha se është përmirësuar komunikimi me komunitetet në Kosovë dhe vlerësoi se komunat e reja me shumicë serbe po funksionojnë dhe po i ofrojnë shërbimet e tyre për qytetarët serbë të Kosovës.
Ndër të tjera presidentja Jahjaga tha se është i nevojshëm zbatimi i procesit të decentralizimit në Veriun e Kosovës dhe i vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit.