Seancë e veçantë për t’i diskutuar marrëveshjet me Serbinë

Tri partitë opozitare LDK, Vetëvendosje dhe AAK i kanë paraqitur kërkesë Kryesisë së Kuvendit për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, për bisedimet dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel.
Përfaqësuesit e këtyre partive, nuk kanë dashur të japin shumë detaje për këtë kërkesë, pasi sipas tyre gjithçka do të deklarohet në seancë.
Sidoqoftë ata thanë se Qeveria e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ose kryenegciatorja Edita Tahiri, kanë për obligim kushtetues nëse jo moral, që të raportojnë para Kuvendit dhe qytetarëve mbi atë se çfarë përmbajnë të ashtuquajturat konkluza dhe aspekte tjera të bisedimeve.
Partitë opozitare edhe më parë i kanë cilësuar të padobishme për Kosovën marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Madje nga opozita është vlerësuar se nuk bëhet fjalë për marrëveshje ndërshtetërore, por për konkluzione me të cilat Kosova nuk ka mbërritur shtetësinë e saj.