Testi i arritshmërisë 55.04 për qind
Sipas të dhënave nga raporti i Njësisë për Standarde dhe Vlerësim në MASHT, rezultati i përgjithshëm i testit të arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta është 55.04 për qind.
Ky test vlerësimi është organizuar më 29 qershor në 31 komuna përkatësisht në 92 qendra testimi. Në test janë përfshirë 32.688 nxënës, prej tyre 32,082 në gjuhën shqipe, 337 në gjuhën boshnjake dhe 269 në gjuhën turke.
Rezultati i arritshmërisë për nxënës që kanë vijuar mësimin në gjuhën shqipe është 54.95 për qind, në gjuhën boshnjake 59.90 për qind, kurse në gjuhën turke 59.50 për qind.
Testi i arritshmërisë është vlerësim i dijes së nxënësve, ndërsa pikët e fituara në këtë test, nxënësve do t’u ndihmojnë në përzgjedhjen e drejtimit të preferuar për shkollim të mesëm.
Testi është administruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe drejtorë të shkollave.