Europë, 90 viktima nga i ftohti
Vazhdon i ftohti e jashtëzakonshëm në Europë që si asnjë vit tjetër është shoqëruar nga një kaos shumë i madh i mjeteve të transportit dhe lëvizjes së udhëtarëve në vende të ndryshme. Gjatë ditëve të fundit, në të gjithë kontinentin kanë humbur jetën për shkak të klimës mbi 90 persona, 10 prej të cilëve në një ditë të vetme në Poloni, ku aktualisht numri i viktimave ka kapur dje shifrën 79. Edhe transportet ajrore, hekurudhore dhe rrugore janë dëmtuar rëndë dhe janë bërë pengesë për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Por ndërkohë vjen një lajm i mirë. Eurostari ka rifilluar shërbimin dhe aeroporti i Frankfurtit që ishte i mbyllur ka rifilluar fluturimet, pasi qëndroi i mbyllur për 24 orë. Çrregullimet po ndodhin në një stinë festive dhe si pasojë kanë ndikuar në prishjen e shumë planeve të pushimeve për një pjesë të mirë të banorëve të kontinentit. Moti shumë i ftohtë i shoqëruar me reshje të mëdha dëbore është karakteristikë e ditëve të ftohta të fundit të dhjetorit. Zakonisht ditë të tilla janë karakteristikë edhe e janarit. Madje sipas meteorologëve edhe muaji i parë i vitit të ardhshëm do të jetë me ditë të ftohta dhe reshje dëbore. Për sa i përket bllokimeve ato kanë lënë shumë pasagjerë të dëshpëruar në pritje nëpër stacione trenash dhe salla avionësh. Edhe pse dje kanë filluar të funksionojnë disa nga aeroportet më të rëndësishëm të Europës, sërish ka pasur vonesa të fluturimeve dhe moskryerje të disave prej tyre. Në Francë, Belgjikë dhe Holandë, operatorët aeroportualë kanë punuar gjatë gjithë kohës për të pastruar pistat e fluturimeve nga dëbora në mënyrë që të mundësonin fluturimin e avionëve. Aeroporti më i madh i Berlinit, Tegel, u mbyll dje për disa orë për shkak të ngricave. Ndërkaq ka pasur bllokime të mëdha edhe në rrugët automobilistike në shtete të ndryshme të Europës. Kjo për shkak të ngricave dhe dëborës, e cila në disa vende i ka kaluar të 50 centimetrat. Për sa i përket trenit Eurostar, mosfunksionimi i tij vuri në krizë të rëndë qeverinë franceze e cila urdhëroi marrjen e hetimeve në lidhje me shkaqet që çuan në ndërprerjen e udhëtimeve. Ndërkaq Eurotuneli, që transporton makina në ngushticën që lidh Francën me Britaninë e Madhe, ka paralajmëruar se mund të ketë parregullsi në ditët në vijim, nëse situata e motit do të vazhdojë të përkeqësohet.