Liverpooli si pula pa kokë

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Daniel Agger ishte aq i hidhëruar me barazimin 0-0 kundër Swanseas të shtunën, sa që kritikoi bashkëlojtarët e tij duke i quajtur “pula pa kokë”.
26 vjeçari ka komentuar ashpër paraqitjen e zbehtë të skuadrës në Anfield Road dhe beson se nëse vazhdojnë kështu, sërish do të dështojnë të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve në sezonin e tretë të njëpasnjëshëm.
Pas 11 xhirosh në Premierligë, Liverpool gjendet në pozitën e gjashtë me 19 pikë, dymbëdhjetë më pak se kryesuesi Manchester City dhe Agger ka filluar të brengoset.
“Nëse vazhdojmë të luajmë kështu, sërish nuk do të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve. Nganjëherë dukeshim si pula pa kokë duke vrapuar pas topit. Mendoj se të gjithë ishin të hidhëruar dhe dëshpëruar, disa më tepër, por kjo ishte pasqyrë reale”, tha Agger për tabloidin britanik The Sun.
Paraqitjet e Reds këtë sezon nuk kanë vazhdimësinë e duhur dhe këtë e dëshmon statistika se skuadra nga Anfield Road ka fituar vetëm dy prej gjashtë takimeve në shtëpi, ndërsa në dy përballjet e ardhme është mysafire e Chelseas e më pas pret Manchester Cityn. Agger nuk është i kënaqur.
“Bilanci prej dy fitoreve nga gjashtë ndeshje flet për vete. Është larg nga ajo që kërkohet. Ne duhet të përmirësohemi për një shkallë ose dy. Kjo nuk është e pamundur, kemi futbollistë kualitativë që janë në gjendje të ngritin shkallën e paraqitjeve. Por, nuk e di si mund të pësojmë rënie të tillë prej një javë më parë. Ishim shumë, shumë të këqij. Në momentin që e kishim topin, e humbnim atë menjëherë. Nuk ishim të vëmendshëm sa duhet. Jemi ata që mund të bëjmë dallimin dhe duhet të luajmë shumë më mirë”, u shpreh reprezentuesi danez.
Agger thekson se Liverpool duhet domosdoshmërisht të fitojë ndeshjet përballë kundërshtarëve si Swansea, pasi javë më parë kishte humbur pikë në shtëpi edhe përballë Norwichit, me të cilin po ashtu barazoi.
“Ne duhet të fitojmë sidomos këto lloj ndeshje, por edhe të tjerat pa marr parasysh se kundër cilës skuadër luajmë. Ne jemi Liverpool. Duhet të fitojmë ndeshjet tona në shtëpi. Swansea meriton lëvdata sepse luajti mirë. Por, kjo nuk e bën paraqitjen tonë të mirë”, përfundoi Agger.