Lipi: Skam thënë se do tërhiqem pas botërorit
Itali
Marçelo Lipi nuk e ka mbyllur portën për një qëndrim të tij në drejtimin e Kombëtares italiane edhe pas botërorit. “Nuk kam thënë që do të tërhiqem pas Botërorit të Afrikës së Jugut: tani mendoj vetëm për Botërorin. Në fillim të luajmë në kompeticionin më të madh, pastaj të shohim. Do të varet nga rezultatet”, ka thënë ai. Presidenti i federatës, Xhankarlo Abete, ka bërë të ditur se emri i trajnerit të Italisë do të bëhet i ditur para nisjes për në Afrikën e Jugut. “Me Lipin kemi një marrëdhënie shumë pozitive, ka thënë Abete, dhe e ndiej si detyrë për të qartësuar situatën rreth drejtimit të Italisë para se të nisemi për në Afrikën e Jugut. Do ta respektojmë këtë impenjim dhe do të shkojmë në botëror me idetë e qarta dhe me vetëdijen se do të duhet të përqendrohemi vetëm te kompeticioni”. “Mes Meje dhe Abetes është gjithçka e qartë, edhe e ardhmja ime. Presidenti është një njeri, të cilin e çmoj dhe me të flas gjithmonë hapur”, ka konfirmuar trajneri i Italisë. Po Juventusi? “Në marrëdhëniet mes meje dhe Juventusit është ndërtuar një kështjellë. Ndoshta një ditë do të jetë vetë Juve që do të thotë se si qëndrojnë gjërat. Unë kam në mendje vetëm Kombëtaren, duhet të gjej 4-5 lojtarë që më mungojnë dhe për këtë arsye po ndjek nja 20 futbollistë. Pastaj në maj do të zgjedhim se cili do të jetë në formën më të mirë”.
#