Liverpuli mban gjallë shpresën për titull
Liverpuli ngushtoi diferencën me Mançester Junajtid, pas fitores 3-0 me Njukasëllin ditën e diel. Josi Benajun hapi rrugën e golave për vendësit në minutën e 22-të, ndërsa Dirk Kajt dyfishoi gjashtë minuta më pas me një gjuajtje me kokë. Në avantazh të dy golave përfundoi pjesa e parë, ndërkohë që e dyta nisi me mjaft tension. Xhoi Barton në minutën e 77-të ndërhyri ashpër ndaj Ksabi Alonsos e për pasojë, arbitri akordoi një karton të kuq. Likas Leiva, i cili u aktivizua si zëvendësues, devijoi një gjuajte dënimi të Fabio Aurelios dhe trefishoi shifrat. “Mendoj se ishte një ndeshje shumë e bukur. Patëm mundësi ta përfundonim takimin edhe më mirë, sepse rastet që na u krijuan ishin të shumta. Të gjuash tri herë shtyllën në një ndeshje është domethënëse! Por marrja e një fitoreje 3-0 dhe ruajtja e rrjetës së paprekur, është sukses. E dinim se kundërshtari do të kishte probleme me gjendjen psikologjike, në momentin që ne do të shënonim golin e parë, por nuk ndodhi tamam kështu. Njukasëlli punoi vërtet fort, ndaj dhe golin e tretë e gjetëm me shumë vështirësi”. Tashmë “të kuqtë” ndodhen tri pikë larg liderëve të Mançester Junajtid dhe për Benitezin kjo do të thotë se presioni i “djajve të kuq” është rritur akoma më shumë.