Zana Çela: I mësojmë të rinjtë të kenë ëndrra
Talent, impenjim, por edhe forcim personaliteti. Edicioni i katërt i talentshow-t “Akademia e Yjeve” këtë radhë ka ardhur ndryshe nga edicionet e kaluara. I përcjellë në televizionet e njohura “Klan”, “Telenorba”, BBF dhe “Alsat” Maqedoni, si qëllimin kryesor ka pasur të sjellë në ekran talentet më të njohura shqiptare në fushën e muzikës dhe të baletit, duke ruajtur një gjeografi, që përmbledh të gjitha trevat ku frymojnë shqiptarët. Producentja e njohur televizive dhe njëkohësisht drejtuesja e këtij spektakli, zonja Zana Çela si në të gjitha edicionet e kaluara, kriterin kryesor ka pasur talentet më të spikatur të moshës 16-18 vjeçare, me qëllim furnizimin e muzikës dhe baletit me të rinjtë, që meritojnë të kenë vend në kulturën shqiptare. Një qëllim që i shërben të ardhmes por në të njëjtën kohë dhe një ëndërr që ka fjetur gjithnjë në plejadën e mësuesve dhe intelektualëve të mëdhenj shqiptarë. “Një dorë mbështetëse për talentet që meritojnë me të vërtetë t’u hapen dyert në fushën e muzikës apo baletit, është ndihma e duhur për të rinjtë. Veçanërisht në botën e vështirë të artit, ku dyert të mbyllen në fytyrë dhe të duhesh të bësh shumë përpjekje dhe sakrifica”, - thekson ajo. Vetë Zana Çela e sheh si një detyrë, por dhe si një kënaqësi ndërtimin dhe drejtimin e Akademisë më të famshme në Shqipëri, për njerëz që aspirojnë një ardhmëri të ndryshme nga kjo e sotmja, ku jo rrallë këngëtarëve apo balerinëve të rinj u pengohet talenti, ndërkohë që favorizohen artistë që nuk sjellin vlera në fushën që përfaqësojnë. Në spektaklin që transmetohet çdo të mërkurë, në orën 20:00 në TV “Klan” sfidojnë vetëm më të mirët, të gjithë ato konkurrentë, që gjatë javës japin interpretimin më dinjitoz. Nxënësit e Akademisë kanë fatin të ndjekin çdo ditë mësimet me profesorët e njohur Sokol Marsi dhe Kristi Popa, ndërkohë që baleti klasik ushtrohet nga balerinët e njohur Enada Hoxha dhe Gerti Vaso dhe hip-hopi nga profesor Dritan Bramo. Një armatë profesionistësh që i shtohen dhe emrat më të njohur të kritikës muzikore, në veçanti kompozitorja e njohur Diana Ziu dhe këngëtari dhe kompozitori shqiptar, Pirro Çako. Duke përmendur dhe opinionisten e njohur Mimoza Ahmeti që është pjesë e pandarë e panelit të kritikës. “Duam të përcjellim me këtë spektakël, jo vetëm të rinj që ëndërrojnë të bëhen artistë, por dhe të rinj që janë pjesë e këtij vendi, që janë pjesë e ndryshimit të Shqipërisë në të gjitha aspektet”,- thekson Zana Çela.