Hamburgu e Herta, një pikë që s’vlen shumë
Hamburgu nuk ka arritur të marrë tri pikë në shtëpi, kur kishte përballë rivalët direkt në arritjen e objektivit sezonal, Hertën e Berlinit. Djemtë e trajnerit Martin Jol arritën të jenë më dominues në fushë të rrezikojnë më shpesh portën kundërshtare, por kjo nuk mjaftoi për t’u dhuruar atyre maksimumin. Pas vetëm tetë minutash lojë, Marsel Jansen arriti të devijojë mjaft saktë një kros të ardhur nga Ivica Oliç, duke i dhuruar avantazhin vendëse. Pjesa e parë përfundoi në kryesimin e Hamburgut, por në minutën e 66-të, Gojko Kacar, arriti të gjuajë mjaft saktë nga jashtë zone, duke barazuar rezultatin dhe duke i dhënë një pikë berlinezëve. Tashmë, të dyja skuadrat i janë larguar kreut, duke qenë se Volfsburgu ka një diferencë prej katër pikësh me Hertën dhe pesë pikësh me Hamburgun. “Ishte një ndeshje, në të cilën luajtëm mirë. Duke ditur kalendarin e ngjeshur, futbollistët e mi luajtën me një ritëm të lartë. Duhet të kishim qenë më të saktë para portës dhe kjo na penalizoi për të marrë tri pikët, pavarësisht se luajtëm më mirë se kundërshtari. Titulli? Tani na duhet një mrekulli për të përfunduar të parët. Është më e rëndësishme të fokusohemi tek Kupa UEFA, pasi kemi të gjitha shanset për të triumfuar”, tha trajneri i Hamburgut, Martin Jol.