Shqiptari Shpejtim Arifi thyen rekord transferimi në Iran
Sulmuesi kosovar Shpejtim Arifi ka hyrë në histori të futbollit iranian. Ai të enjten është transferuar nga Payam Mashad te Persepolis për 850 mijë dollarë. Ky është transferimi më i shtrenjtë i paguar ndonjëherë në histori të futbollit iranian, kanë përcjellë mediumet e këtij vendi. Vetë Arifi nuk ka pranuar të flasë për shifrat e dëmshpërblimit, por tregon se ka nënshkruar për dy vite. “Financiarisht kam pasur oferta më të mira se ajo e Persepolis, por zgjodha këtë klub pasi bëhet fjalë për klubin më të mirë në Iran dhe njërin prej më të mirëve në Azi. Nuk mund të zbuloj se sa i ka kushtuar Persepolisit transferi im. Jam i kënaqur me pagesën që do të kem në klubin tim të ri, të cilit do t’i bashkohem pas një muaji. Paguhem shumë më mirë se që jam paguar në Gjermani”, ka thënë Shpejtim Arifi të dielën për “Koha Ditore”.