Haxhi: Unë rekordmeni i titujve
Jetmir Halilaj
Altin Haxhi fitoi titullin kampion në Qipro me skuadrën e Apoel Nikosias. Si asnjë shqiptar tjetër, mesfushori i majtë është shpallur për herë të tretë kampion me një skuadër të huaj. Dy tituj i ka fituar me bullgarët e Liteks Loveçit, ndërsa të fundit e fitoi me Apoelin. Ai ka fituar edhe derbin e shqiptarëve, pasi ka lënë pas Klodian Duron dhe Arjan Beqajn, të cilët gjithashtu shpresonin të fitonin titullin. Në një intervistë për “Panorama”, Haxhi flet edhe për largimin nga skuadra Kombëtare si dhe për objektivat në karrierën e tij.
Sezonin e kaluar e mbyllët mes dëmtimesh dhe polemikash me drejtuesit e klubit, ndërsa tani jeni kampion i Qipros, madje gjatë gjithë edicionit keni qenë titullar. Ka ndonjë sekret?
Ky po ishte një sezon fantastik. Të fitosh titullin është shumë emocionuese dhe inkurajuese për çdo futbollist, e jo më kur gjatë gjithë sezonit ke luajtur rregullisht. Jam shumë i lumtur, sepse nëse dikush do të ma thoshte këtë verën e kaluar, nuk është se do e besoja, pra që do të shpallesha kampion dhe do të isha akoma në këtë ekip. Gjërat shkuan vërtetë shumë mirë, edhe në aspektin fizik, pasi nuk pësova dëmtime. Për më tepër kam edhe një vit kontratë me këtë skuadër. Më mirë se kaq nuk ka ku të shkojë.
Keni fituar titullin e tretë me një skuadër të huaj, ky është një rekord për lojtarët shqiptarë që luajnë jashtë?
Po, e di dhe ndihem shumë mirë për këtë. Gjatë këtyre viteve kam qenë njësoj me Alban Bushin, sepse të dy bashkë fituam dy tituj te Liteks Loveçi. Tani jam i kënaqur që e lashë edhe atë mbrapa.
Festuat shumë kur e siguruat matematikisht titullin?
Oh, shumë fare. Klubi kishte organizuar një festë madhështore që atë ditë, ndonëse një javë më pas kur ngritëm trofeun festuam gjithashtu shumë. Por, atë ditë pas ndeshjes tifozët shkuan vërtetë në delir, madje hynë në fushë na morën edhe rrobat, na lanë vetëm me mbathje.
Në fakt, keni fituar edhe duelet me Beqajn e Duron, të cilët gjithashtu shpresonin të fitonin titullin, pasi skuadra e tyre kanë luftuar deri në fund?
Tetë përballjet direkte që patëm me këto skuadra ne siguruam shtatë fitore dh enja barazim dhe mendoj se ky ishte çelësi i suksesit. Duro ka bërë një sezon shumë të mirë dhe ekipi i tij ka qenë një rival i fortë, ndërsa Beqaj kohët e fundit ka hasur probleme fizike dhe më vjen keq për të. Unë mendoj se edhe mungesa e tij ndikoi shumë te Anorthosisi. Iu uroj të dyve shumë suksese, por nuk më vjen aspak keq që titullin e fitova unë...
A more ndonjë mesazh urimi nga Duro dhe Beqaj pasi siguruat matematikisht fitoren?
Po, nga të dy dhe m’u bë shumë qejfi.
Po nga miku juaj, Bushi?
Ai ndoshta nuk e di fare që unë jam shpallur kampion...(qesh)...Jo, jo me atë kemi hesape të tjera...
Haxhi shkëlqen në Qipro, por gjatë këtij edicioni i mungoi Kombëtares shqiptare. U larguat vetë, apo nuk iu bënë më asnjë ftesë?
Për të qenë i sinqertë unë u tërhoqa vetë. Pashë kalendarin e ndeshjeve në fillim të sezonit dhe ishte shumë i ngjeshur, ndaj e dija fare mirë se nëse do të impenjohesha rregullisht edhe me përfaqësuesen, atëherë nuk mendoj se do të paraqitesha në këto nivele. Megjithatë, dua të tregohem i hapur dhe ta pohoj, se gjatë kësaj kohe unë nuk kam pasur asnjë ftesë nga Kombëtarja, sepse nëse do të kisha pasur do të isha paraqitur aty dhe me mirëkuptim do të kërkoja që të mos luaja gjithë ndeshjen, apo të luaja vetëm në momente të caktuara. Më kuptoni drejt, isha i bindur se po të pësoja një tjetër dëmtim, do i kisha dhënë fund karrierës.
Jeni drejt fundit të karrierës, a keni ndonjë projekt në kokë për të ardhmen tuaj?
Dua të luaj akoma. Kam pasur fatin që në fillim të karrierës të fitoja dy tituj kampion me Liteksin në Bullgari. Tani ëndërroj ta mbyll sërish me dy tituj kampion këtu te Apoeli. Dua ta fitoj titullin edhe sezonin e ardhshëm.