E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli ndal Sitin, Baloteli del me të kuqe

BRITANI- Mançester Siti ka frenuar vrullin, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 në fushën e vështirë të Liverpulit. Skuadra kryesuese e Premier Ligës Angleze merr kështu barazimin e dytë në 13 ndeshje, duke ruajtur gjithsesi diferencën prej 5 pikësh nga Mançester Junajtid. Në “Anfield Road”, Liverpuli ka mbajtur “gjallë” Premier Ligën, duke mos lejuar shkëputjen e “Citizens” në 7 pikë ndaj Junajtid. Skuadra e Mançinit kaloi e para në avantazh me anë të Vinsent Kompani në minutën e 31-ta, por dy minuta më pas vendasit barazuan.

Gjuajtja e Adam u devijua nga Leskot dhe përfundoi në rrjetë. Më pas, lojtarët e Keni Dalglish kanë marrë zemër dhe janë dashur disa ndërhyrje të Xho Hart për të frenuar të kuqtë, sidomos në një goditje të Adam. Në pjesën e dytë, Mançini ka luajtur kartat Baloteli e Xheko, por të rrezikshëm kanë qenë vetëm të zotët e shtëpisë. Në minutën e 83-të, Baloteli del me të kuqe. Ndërkohë, ndeshja tjetër, mes Suonsi e Aston Vilës, përfundoi në barazim 0-0.
(el.me/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›