E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Liza në botën e çudirave', aktorët përballë kartonëve

Mbërrin versioni i fundit i filmit "Liza në botën e çudirave". Në festivalin më të madh të kartonëve "Comic-Con", Tim Burton prezanton Lizën e tij. Në vjeshtë, në sallat e kinemasë


Për të 40-in vit më radhë, në San Diego të SHBA-së po zhvillohet takimi më i madh i filmave të animuar "Comic-Con".


Nëse këto filma i drejtohen një publiku të rritur a fëmijëve, nuk ka shumë rëndësi, mjafton që ata të tregojnë një histori dhe bukur madje.


Ky eveniment ka bërë që në kinematë e San Diegos të vërshojnë më shumë se 6 mijë adhurues të kinemasë për të parë, veç të tjerash, imazhet e para të filmave që do të shfaqen sezonin e ardhshëm, ku një prej më të shumëpriturve është "Liza në botën e çudirave" i regjisorit Tim Burton.


Britaniku është i njohur për publikun me sukseset e tij "Edward Scissorhands" (Eduard duargërshëra 1990), "Batman" (1989) dhe "Batman Returns" (1992), "Sleepy Hollow" (1999), "Planet of the Apes" (2001), si dhe dy sukseset e fundit "Charlie and the Chocolate Factory" (2005) dhe "Sweeney Todd". Surpriza e radhës e Burton-it është pikërisht aventura e vogëlushes Liza në një botë të çuditshme dhe pa kurrfarë rregullash.


Në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane "Corriere della sera", Burton tregon për filmin, i cili pritet të shfaqet në shator të këtij viti. "Më në fund vendosa të realizoj një film real, si ata të Martin Scorseses", bën shaka Burton-i. "Me 'Lizën në botën e çudirave' doja të bëja një film të fortë. Dua të them më afër realitetit sesa fantazisë".


Nëse ia ka dalë mbanë apo jo, për këtë duhet të presim shfaqjen e filmit, ndërkohë mund të shuajmë kureshtjen me intervistën që Burton ka dhënë për "Corriere della sera".



A mund të na tregoni se cilat janë teknikat teknologjike më interesante që keni përdorur në këtë film?


Është hera e parë që punoj me kaq shumë "green screen". Kishte momente kur unë dhe trupa duhej të kujtoheshim se ku ishim dhe se çfarë po bënim.


Edhe sot më bën nervoz ideja se do të prezantoj një film që ende nuk ka përfunduar, në të cilin po provojmë shumë gjëra të ndryshme. Në film janë përdorur teknika të ndryshme, që ndërthurin animacionin me aksionin live të aktorëve.


Për arsye personale nuk doja të përdorja "motion capture", kur ke aktorë të zotët si këta, qëllimi është t'i përdorësh dhe jo t'i mbushësh me tullumbace jeshile e t'i vendosësh në kompjuter.


Por të gjitha teknikat janë të vlefshme, të kuptohemi, nuk është e thënë që njëra është më e mirë se tjetra.

Pra, vazhdoni të jeni i bindur për përdorimin e 3D-së?


Po, për sa kohë nuk përdoret si një marifet për të mbushur sallat e kinemave, por pasuron eksperiencën kinematografike. Për shembull, momenti kur Liza bie në strofkën e lepurit është një eksperiencë vizuale më e pasur në 3D.


Por ajo që gjithmonë ka rëndësi është historia dhe në fakt duhet parë një film edhe në 2D për të vendosur më pas nëse është një film që mund të shihet apo jo.

Tim Burton dhe Liza duken një binom i përsosur: një dashuri që takohet me fëmijërinë e saj.


Po, dhe jo vetëm falë librave të Lewis Carroll. Rreth figurës së tij është krijuar një situatë imagjinare, me muzikë dhe këngë. Kjo ka mbetur në kujtesën e shumë brezave, gjë që është shumë e rëndësishme për nënndërgjegjen.


Unë, në fakt jam përpjekur që të punoj ndryshe. Nuk kam parë kurrë një film mbi Lizën, që të më pëlqejë nga fillimi deri në fund. Megjithëse historitë dhe librat e Carroll janë ikona të historisë e letërsisë, unë asnjëherë nuk kam parë një film që t'i ketë pasqyruar ato histori në kinema.


Kjo do të jetë përpjekja ime. Jam përpjekur që t'i jap historisë një kornizë emotive që më parë nuk e ka pasur. Ka gjithmonë personazhe të çuditshme, por secili prej tyre mbart në imagjinatën e tij një "gjendje mendore të çuditshme", që është specifike për çdo personazh, por që na përket të gjithëve.

Mund të shpjegoheni më mirë?


Është koncepti universal i këtyre lloj historive, si p.sh., "Magjistari i Ozit".Ato janë një udhëtim në botën e brendshme, personazhet përfaqësojnë diçka që është brenda psikikës njerëzore, atë që çdo fëmijë ndjen teksa përpiqet të zgjidhë problemet e tij. Pastaj ka nga ata që kur rriten shkojnë në terapi dhe të tjerë që bëjnë filma.


Ndjej një tërheqje të madhe ndaj këtij materiali. Madje, pa e ditur bleva në Londër studion që dikur i përkiste Bessie Pease Gutmann, ilustrueses së botimit të radhës së "Liza në botën e çudirave", në vitin 1905.

Si e keni zgjedhur grupin e aktorëve?


Mia Wasikowskan që interpreton Lizën, e zgjodha sepse doja një njeri që të kishte peshë, një gravitet në të cilin ndjen që ka një jetë të brendshme.

Po Helena Bonham Carter?


Helena ka një kokë të madhe, dukej perfekte për personazhin e Mbretëreshës së Kuqe.

Po Johnny Depp si Kapelebërësi?


Atij i pëlqen të maskohet. Personazhet e "Lizës..." shpesh janë trajtuar në kontekstin e çmendurisë së tyre, pa i dhënë shumë rëndësi nëntekstit. Unë mendoj se Johnny ka provuar të sjellë diçka, një vlerë njerëzore të groposur brenda çmendurisë, është përpjekur ta kuptojë deri në fund.


Jemi përpjekur t'i japim çdo personazhi çmendurinë e tij të veçantë dhe Deep është shumë i zoti në eksplorimin e këtyre rrugëve. Besoj, sepse edhe ai vetë është i çmendur.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›