Skema e "mashtruesit" shqiptar në SHBA
Autoritet amerikane akuzojnë Gjergj Hajatin të arrestuar në muajin mars, për mashtrim me 1.5 mln $
I akuzuari ishte komisioner hipotekor dhe me kompaninë e tij lëshonte deklarata të falsfikuara
TIRANË- Gjergj Hajati, i akuzuar nga FBI dhe Prokuroria e Konektikat në Hardford për një sasi prej 1.5 milionë dollarësh, rezulton që sipas hetuesve të jetë një nga spekullantët e krizës së apartamenteve në SHBA.
Për akuzat e ngritura ndaj tij, FBI-ja kërkoi arrestimin e tij në vendin tonë, me urdhër të Gjykatës së Hardfordit në shtetin e Konektikat, ndërsa më pas ai u ekstradua në SHBA. Sipas hetuesve në ngarkim të Gjergj Hajatit, ai rezultonte të ishte pronar i një kompanie të licencuar si komisionare hipotekimesh.
Ndërkohë, Gergji Hajati, sipas materialit të shoqëruar në kërkesën për ekstradim, rezulton se skema mashtruese konsistonte kryesisht në krijimin e deklaratave të falsifikuara nga kompania e shkodranit Hajati, për mbylljen e huave hipotekore që njihen si deklarata uniforme të shlyerjes të Departamentit Amerikan të Strehimit dhe Zhvillimit Urban (deklarata HUD) për të fshehur shumën reale të fondeve që ishin paguar nga blerësi.
Sipas kësaj kërkese, Hajati krijonte dy deklarata HUD për çdo transaksion mashtrues për të cilin ai akuzohet, dhe i përdorte deklaratat fiktive për të fshehur, falsifikuar të hollat reale që paguheshin. Shuma totale të mashtrimit, sipas kërkesës, parashikohen se kanë kaluar vlerën prej 1.5 dollarë amerikane.
Sipas legjislacionit amerikan një kompani e tillë vepron si një ndërmjetës midis institucioneve huadhënëse financiare dhe individëve që duan të blejnë prona të patundshme.
Ndërmjetësit hipotekorë, punojnë si me blerësit ashtu edhe me institucionet financiare huadhënës për të siguruar financime për hua hipotekare për blerje pronash të patundshme dhe për të garantuar se shitësi do të paguhet nga pjesa e huasë.
Ndërmjetësit hipotekorë garantojnë regjistrimin e saktë të titullit të pronës në dokumentet për kalimin e pronësisë dhe interesin e institucionit financiar që lëshon huan ndaj kësaj prone.
Më 10 qershor 2009, me kërkesë të Gjykatës së Hartfordit dhe të asistuar nga i dërguari i kësaj gjykate në Shqipëri, Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet të përbërë nga gjyqtari i vetëm Arben Micko, vendosi ekstradimin e shkodranit Hajati nga Shqipëria në SHBA, bazuar në traktatin e ekstradimeve mes Mbretërisë Shqiptare dhe SHBA-së të bërë në 1 mars të vitit 1933. Sipas vendimit të ekstradimit, i pandehuri është arrestuar mesditën e datës 17 mars 2009 në pikën doganore të Muriqanit gjatë tentimit për të kaluar në Mal të Zi.
Arrestimi i tij, sipas njoftimit të policisë së asaj kohe, ka ardhur pas urdhrit të lëshuar nga Gjykata e Hartfordit të Distriktit të Konektikat (Connecticut) në SHBA të dhënë më 24 janar 2008 ka lëshuar urdhrin e arrestit duke caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë, ndërsa më pas u kërkua edhe ekstradimi.
Hajati rrezikon 30 vite burg
Me 10 qershor me kërkesë edhe të vetë të pandehurit, gjyqtari Micko vendosi lejimin e ekstradimit të shqiptaro-amerikanit Gjergji Hajati për në SHBA për t'u gjykuar në një proces të rregullt dhe të drejtë për akuzat rëndonin mbi të.
Sipas vendimit të ekstradimit, shtetasi George Hajati alias Gjergj Hajati akuzohet për aktin kriminal të "Mashtrimit postar" në shkelje të titullit 18 Kodi i Shteteve të Bashkuara Seksioni 1341, që parashikon një dënim në maksimum 30 vjet burg.
I akuzuari shqiptaro- amerikan la peng 100 mijë dollarë në këmbim të lirisë së tij
Gjykata e heton në liri me garanci pasurore
Shqiptaro-amerikani Gjergji Hajati, i ekstraduar rreth një muaj e gjysmë më parë nga Shqipëria për në SHBA për t'iu nënshtruar një procesi të rregullt ligjor për akuzën e "Vjedhjes me anë të mashtrimit elektronik" lirohet nga qelia me garanci pasurore me një vendim të organeve amerikane të drejtësisë.
Gjykata e Hartfordit të Distriktit të Konektikat (Connecticut) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vendosur me kërkesë të të pandehurit nga Shkodra, hetimin e Hajatit në gjendje të lirë kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë dollarësh.
Ky lajm konfirmohet nga zyra e avokatëve mbrojtës, të cilët kanë mbrojtur interesat e të pandehurit Gjergji Hajati, në dy shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.
Ky i fundit, veç emrit Gjergj Hajati, njihej nga autoritetet edhe me emrin tij në versionin anglez Xhorxh (George) Hajati. Sipas këtyre burimeve, mësohet se gjyqtarja Donna F. Martines e cila më 24 janar 2008 kishte lëshuar urdhrin e arrestimit të shtetasit amerikan me origjinë shqiptare, Gjergji Hajati, ka vendosur që tashmë hetimi dhe më pas gjykimi i të akuzuar të bëhët në gjendje të lirë.
Kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë dollarë ky vendim ndryshoi duke i dhënë lirinë shkodranit që ngryste ditët në qelitë amerikane prej dy muajsh, ndërsa tashmë duhet të vazhdojë të qëndrojë në liri deri në fud të hetimit.
Hajati, 32 vjeç me origjinë nga shkodra u arrestua nga policia shqiptare në një operacion të kryer në qytetin Shkodrës, nga efektivat e forcave speciale, si dhe nga dy specialistë të FBI-së.