E Shtunë, 31 Tetor 2026

S'morën deputetë, të vegjlit fajësojnë kodin

PAD-ja, PDS-ja e LSI-ja kërkojnë ndryshimin e kodit. Sipas tyre, ndryshimet s'mund të arrihen pa votat e PS-së


TIRANË - Të vetmit që kërkojnë me këmbëngulje deri më tani ndryshimin e Kodit Zgjedhor, janë pikërisht ata që nuk mundën dot që të përfaqësoheshin më një mandat deputeti në Kuvend, si dhe vetë LSI-ja, e cila pretendon se nuk mori fitoren e kërkuar pikërisht nga zbatimi i sistemit të ri zgjedhor.


Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, ai i PDS-së, Paskal Milo, cituan të nevojshëm ndryshimin e kodit në disa pika të tij, edhe pse e votuan me konsensus të plotë para zgjedhjeve të 28 qershorit.


Ndërsa sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, foli dje për propozime konkrete, edhe pse gjithçka do të shihet nga rrjedhja që do të marrë Kuvendi i ri. Në deklaratën e tij, kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, shprehet se duhet ndaluar, madje me ligj, përfshirja në komisionet e votimit, por edhe ato të numërimit e njerëzve partiakë.


Ndërsa nuk është optimist për ndryshimin e sistemit, pasi pranon se për këtë gjë duhen medoemos votat e socialistëve. "Nuk besoj se do të arrihet një konsensus për ta ndryshuar sistemin. Ndoshta për ta modifikuar, sepse në tërësinë e tij sistemi favorizon dy forcat e mëdha politike",- tha Ceka. Edhe Paskal Milo, kryetari i PDS-së, kërkon ndryshimin e kodit në disa pika të tij. "Kodi ka nevojë të rishikohet jo thjesht dhe jo vetëm për interesat e qeverisjes që po na vjen.


Duhet ndryshuar, sepse është e domosdoshme që të ndryshohet. Këtu nuk është fjala për t'i dhënë LSI-së një anëtar në KQZ. Çështja është që të bëhen ato ndryshime që janë rrjedhojë e njëra- tjetrës",- tha ai, duke kërkuar edhe konsensusin e PS-së. Edhe Petrit Vasili i LSI-së shprehet se duhet rënë dakord nga të gjitha partitë për ndryshimin e kodit, pasi nuk mund të ketë një zgjidhje të njëanshme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›