Llalla: Hetim azilkërkuesve të rremë, sidomos atyre për gjakmarrje
Tiranë- Prokuroria Shqiptare ka ndërmarrë një aksion për të ndaluar të gjithë azlik-kërkuesit e rremë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp ky institucion shprehet se fokusi është sidomos tek ata qytetarë shqiptarë të cilët përdorin dokumente të falsifikuara si të përfshirë në gjakmarrje për të përfituar statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Evropian.
Në deklaratë thuhet se ky qëndrim u ritheksua nga zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme në një takim të zhvilluar sot me përfaqësues të misionit të Zyrës franceze të Mbrojtjes së Refugjatëve dhe Personave pa shtetësi-OFPRA, të cilët shoqëroheshin nga ambasadorja e Republikës së Francës në Shqipëri, Christine Moro.
Krahas luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes në vendin tonë, organi i Prokurorisë jep garanci se do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet franceze, por edhe ato të vendeve të tjera të BE-së për të parandaluar abuzimin e qytetarëve të ndryshëm shqiptarë nga liberalizimi i vizave.
Zyrtarëve francezë në këtë takim iu përcoll nga pala shqiptare vendosmëria e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjitha rastet e azilantëve të rremë.
Ky është një fenomen që, megjithëse në përmasa të vogla krahasuar me disa vende të tjera, nëse nuk parandalohet, mund ti kushtojë rëndë të gjithë shqiptarëve që kanë shpresuar dhe punuar për të arritur aspiratën e lëvizjes së lirë,- tha Llalla.