Llatja: Mbështetja për fermerët dhe zhvillimi i bujqësisë, prioritet

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Blegtoria në Elbasan është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit, falë edhe mbështetjes së bashkisë dhe Skemës Kombëtare të Subvencioneve.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar një takim të veçantë me fermerin Drinard Papri, i cili me përkushtim vazhdon traditën e blegtorisë të trashëguar nga gjyshi i tij.
Me 300 krerë dele, të ndara në dy tufa, Drinardi kujdeset personalisht për delet e sapolindura, ndërsa për tufën tjetër janë të angazhuar punëtorë që ndihmojnë në kullotjen dhe mirëmbajtjen e bagëtive.
“Drinardi është një shembull i jashtëzakonshëm i punës së palodhur dhe përkushtimit ndaj traditës. Ai e çon përpara me mund e sakrificë këtë pjesë kaq të rëndësishme të bujqësisë dhe blegtorisë, duke mos e humbur lidhjen me rrënjët”, u shpreh kryetari Llatja, gjatë bisedës me fermerin.
Për Drinardin, kjo punë është më shumë se një mënyrë jetese, është një pasion, që e ndan edhe me djalin e tij, të cilin e merr shpesh me vete në kullotat e zonës. Përkushtimi i tij ndaj blegtorisë dhe ruajtja e traditës familjare janë një model frymëzimi për brezat e rinj që zgjedhin të qëndrojnë në vendlindje dhe të kontribuojnë në zhvillimin rural.
Llatja vlerësoi angazhimin dhe punën e palodhur të Drinardit, duke theksuar se mbështetja për fermerët dhe zhvillimi i bujqësisë janë një prioritet për bashkinë Elbasan.
“Puna e njerëzve si Drinardi është një pasuri për komunitetin tonë. Ne do të vijojmë të mbështesim fermerët që me mund mbajnë gjallë traditat dhe ekonominë lokale”, përfundoi Llatja.
1 nga 5/k.s/r.e/a.f/