E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Kompanitë e ndërtimit pastruan 138 mijë tonë beton në brigjet e Lanës

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kishte angazhuar kompanitë e ndërtimit për të pastruar brigjet e lumit Lana në kryeqytet, nga ndërtimet pa leje.

Sipas tij, ndërtimi i Tiranës nuk është për xhuxhmaxhuxhët mendore që kur shikojnë kullat, mendojnë para, kur shikojnë rrugë mendojnë vjedhje.

“Kjo puna e Tiranës dhe Shqipërisë nuk është një punë që mund ta bëjnë ata që duan, por që nuk dinë asgjë tjetër përveç se të shajnë e akuzojnë nëpër foltore. Ai komisioni hetimor që u ndërtua atëherë, erdhi pas një lemerie akuzash. Kjo puna e Tiranës dhe Shqipërisë nuk është për ata që komentojnë e nuk dinë çfarë flasin, ulur në ekran si në qebabtore. Dhe nuk është për xhuxhmaxhuxhët mendore që kur shikojnë kullat, mendojnë para, kur shikojnë rrugë mendojnë vjedhje, kur shohin parqe mendojnë korrupsion, kur shikojnë të bukurën ndejnë urrejtje dhe urrejtja i shtyn pastaj të gërmojnë për të kërkuar qenin e ngordhur”, theksoi ai.

Sipas tij, as politikanëve e as analistëve nuk ua rrok truri se mund të ekzistojnë njerëz që nuk marrin lekë kur japin leje ndërtimi, por ama i kërkojnë biznesit pemë për qytetin.

“As politikanëve, analistëve apo gazetarëve të kënetës, që paratë për vete i marrin së shumti në të zezë, se s’duan të paguajnë taksa dhe sigurime të larta, kur shajnë qeverinë nëpër ato banaqet se pse nuk i rrit pensionet, nuk ua rrok truri se mund të ekzistojnë njerëz që nuk marrin lekë kur japin leje ndërtimi, por ama i kërkojnë biznesit pemë për qytetin”, nënvizoi Rama.

Kryeministri theksoi se kompanitë e ndërtimit pastruan mbi 138 mijë tonë beton në Lanë.

“Ato ndërtimet që u prishën në Lanë atëherë. E dini si janë prishur, dhe si është pastruar një sasi rrënojash që kapin volumin 138 mijë tonë beton? I kam thirrur ndërtuesit në zyrë dhe i kam pyetur: keni dhënë lekë për lejet e ndërtimit. Ata shikonin si është puna? Thanë: jo! U thashë: Ka ardhur koha që t’i paguani ryshfetin qytetarëve të Tiranës. Ja u ndava segmentin e Lanës me copa: U thashë merrni buldozerët tuaj, punëtorët tuaj, naftën tuaj. Shkoni prisheni dhe pastrojeni se përndryshe nuk merrni më leje ndërtimi”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›