E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Lejet e ndërtimit nuk janë privilegje, por të drejta zhvillimi të pronarëve dhe të investitorëve

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se cilido që akuzon për ryshfet në dhënien e lejeve të ndërtimit pa prova, thjesht ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë po ta kishte në dorë.

Gjatë një takimi me punonjës të bashkisë së Tiranës në Sheshin “Skënderbej”, Rama theksoi se lejet e ndërtimit nuk janë privilegje apo indulgjenca dhe favore që i bën kryetari i bashkisë, por janë të drejta zhvillimi të pronarëve dhe të investitorëve së bashku.

“Ta mësojnë ata që duhet ta dinë mirë para se të hapin gojën e të flasin për leje ndërtimi, sidomos ata që duhet të zbatojnë ligjin apo të ndjekin zbatueshmërinë e ligjit. Lejet e ndërtimit nuk janë privilegje, nuk janë indulgjenca, nuk janë favore që i bën kryetari i bashkisë, janë të drejta zhvillimi të pronarëve dhe të investitorëve së bashku. Dhe cilido, kudoqoftë që akuzon për ryshfet në dhënien e lejeve të ndërtimit pa prova, thjesht ose e ka bërë vetë ose do ta bënte vetë po ta kishte në dorë”, shtoi Rama.

Kryeministri deklaroi se bashkia e Tiranës ka mbledhur gjysmë milionë dollarë nga viti 2016 deri në vitin 2024 nga taksa e ndërtimit.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se investimet publike që në kohën e ‘gërhimës’ ishin 10 milionë, në 3 vitet e fundit kanë qenë mesatarisht nga 100 milionë.

“Ky quhet vizion ardhmërie, program shpëtimi nga historia e një kënete 500-vjeçare,  program rritjeje ekonomike dhe sociale. Ky quhet lidership dhe kështu është. Sot kush fiton më shumë paguan më shumë. Oligarkët e syve u plaçin bretkosave, zhabave dhe zhapikëve të kënetës se çfarë i paguajnë këtu më të pasurit buxhetit të shtetit dhe bashkisë në një vit, nuk ja kanë paguar kënetës për shtetin flas, se nuk di unë se për çfarë kanë paguar për kënetën kur ekziston këneta”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kështu është kur me taksat e mbledhura bëhen politikat e duhura dhe qytetarët dhe qyteti si pronë e përbashkët marrin mbrapsht atë që u takon nga zhvillimi i pronave të përveçme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›