E Diel, 1 Nëntor 2026

Lleshi: Palët të bashkëpunojnë me KQZ për një proces të drejtë zgjedhor

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nisur sot trajnimin e trajnuesve të KZAZ-ve për zgjedhjet e 23 qershorit.

Në fjalën e saj, Lefteri Lleshi ka kërkuar nga partitë politike që të bashkëpunojnë me KQZ-në për të pasur një proces zgjedhor të drejtë dhe sipas standarteve të kërkuara.

Palët t`i bashkohen vullnetit pozitiv që ka KQZ-ja për t`i dhënë qytetarëve një proces të drejtë dhe të ndershëm dhe  rezultati i zgjedhjeve të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët tha Lleshi.

Ndërsa vlerësoi rolin e trajnuesve të KZAZ-ve, kryetarja e KQZ-së kërkoi nga ata që jenë të paanshëm dhe të tregojnë profesionalizëm në përmbushjen e detyrave të tyre.

Roli i trajnuesve të KZAZ-ve është i rëndësishëm për zgjedhet dhe ata duhet të jenë të paanshëm shtoi Lleshi.

Përfaqësuesi i Komisionit të Venecias, Conrad Olshevski ka theksuar se partitë politike kanë përgjegjësi për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Zgjedhjet nuk janë për partitë, por për votuesit dhe ata duhet të marrin pjesë në zgjedhje demokratike shtoi ai ndërsa theksoi se trajnimi i trajnuesve të KZAZ-ve është një nga gjërat më të rëndësishme të procesit zgjedhor.

Ndërkohë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në mbajtjen e trajnimeve për 76 trajnerë, të përzgjedhur nga vetë KQZ-ja, lidhur me Kodin Zgjedhor të ndryshuar së fundmi dhe aktet nënligjore përkatëse.

Sesioni i parë do të mbahet sot dhe nesër, për tu ndjekur nga një sesion i dytë trajnimesh i parashikuar për datat 29 dhe 30 prill.

Sesionet do të përqendrohen në rolin e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nga momenti i themelimit të tyre e deri në përfundim të procesit zgjedhor, duke përfshirë të gjitha fazat e veprimtarisë së Komisioneve.

Trajnerët do ti përdorin njohuritë e fituara prej tyre për trajnimin e anëtarëve të KZAZ-ve anembanë vendit në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 23 qershor.

 Trajnimi zhvillohet si pjesë e asistencës teknike që Prezenca e OSBE-së i jep Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë. Kjo asistencë synon të ndihmojë organet e administrimit të zgjedhjeve të përmirësojnë punën e tyre dhe të rrisin profesionalizmin. Kjo veprimtari po mbështetet edhe nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›