Lobi grek letër Bajdenit dhe Klintonit kundër Shkupit

Lobi grek në SHBA përmes një letre drejtuar zëvendëspresidentit amerikan Xhozef Bajden dhe sekretares së shtetit Hillary Klinton i ka kërkuar atyre që të pengohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.
“Maqedonia akoma nuk është një kandidate serioze për anëtarësim në NATO. Nuk i plotëson kriteret bazë dhe Aleanca nuk guxon të rrezikojë”, thuhet në letrën drejtuar zyrtarëve të lartë të Uashingtoni nga komuniteti grek në SHBA.
Sipas letrës, arsyet që të mos pranohet vendi në Aleancë janë edhe marrëdhëniet e brishta ndëretnike që janë kërcënim për stabilitetin, institucionet jodemokratike dhe uzurpimi i fjalës së lirë.
Diaspora greke alarmon edhe mosrespektimin e të drejtave të pakicës greke që jeton në Maqedoni,ndërsa ajo bazohet në një deklaratë të ish-presidentit maqedonas Kiro Gligorov në vitin 1993 se në Maqedoni jetojnë 100 mijë grekë.
Letra e komunitetit grek është dorëzuar vetëm një javë para vizitës së kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski në SHBA.