Niset për Nju-Jork, delegacioni zyrtar i Shqipërisë - në krye të axhendës, lobingu për njohjen e pavarësisë së Kosovën

Kryeministri Sali Berisha kryeson delegacionin e Shqipërisë në punimet vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në përbërje të delegacionit ndodhet edhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Kreu i Ekzekutivit pritet të mbajë fjalimin e tij para Asamblesë të mërkurën në pasdite, duke theksuar në diskutim reformat euroatlantike të qeverisë shqiptare, por edhe domosdoshmërinë e zgjerimit të njohjes së Kosovës nga shumica e anëtarëve të OKB-së TIRANË- Kryeministri Sali Berisha kryeson delegacionin e Shqipërisë që do të marrë pjesë në punimet e sesionit të 64-t të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Kryeministri Berisha do të mbajë fjalimin të mërkurën, në orën 18 (sipas orës lokale), para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Burime diplomatike nga Kombet e Bashkuara, besojnë se kryeministri shqiptar do t’ia kushtojë një pjesë të mirë të fjalës së vet edhe Kosovës. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, roli dhe kontributi i Shqipërisë, është rritur ndjeshëm në të gjitha takimet ndërkombëtare. Tirana zyrtare është duke luajtur në të gjithë botën rolin e avokatit për njohjen e Kosovës në organizmin më të lartë të kombeve, në OKB. Këtë pritet ta bëjë edhe kësaj radhe në fjalën e saj në Sesionin vjetor. Fjalimi përbën një thyerje nga tradita e ish-diplomatëve të diktaturës komuniste, të cilët e kishin “harruar” dhe lënë pas dore, për më shumë se gjysmë shekulli, Kosovën në përfaqësimet e tyre në OKB. Edhe diktatori i fundit komunist, Ramiz Alia, në përfaqësimin e parë të Shqipërisë si kryetar shteti, nuk e përmendi në 1989, Kosovën, gjatë fjalimit të vet në OKB. Ndërkaq, kryeministri Berisha pritet të përfaqësojë jo thjesht pjesëmarrjen e Shqipërisë, por edhe kontributin e Shqipërisë, duke shprehur pikëpamjet e shtetit shqiptar për çështjet që ngrihen për diskutim si: reformimi i OKB-së (pika më e rëndësishme e diskutimeve për organizatorët), rishikimi i Strategjisë Globale të Luftës kundër Terrorizmit, diskutimi i arritjeve kombëtare dhe globale në lidhje me Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, ndikimi i krizës globale të ushqimit mbi varfërinë dhe urinë në botë, nevoja për të demokratizuar Kombet e Bashkuara, si dhe Kosova. Gjithashtu, në përbërje të delegacionit të Shqipërisë është edhe zv/kryeministri dhe njëherazi ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Meta gjendet në përbërje të delegacionit zyrtar të kryesuar nga Kryeministri, z. Sali Berisha, duke shënuar kështu për herë të parë, daljen jashtë vendit të dy drejtuesve më të lartë të qeverisë që i përkasin dy krahëve të ndryshëm politikë në vend. Meta shkon një ditë para Berishës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të qëndrojnë rreth tetë ditë. Gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, z. Meta do të marrë pjesë në një sërë takimesh të rëndësishme shumëpalëshe si Forumi i Udhëheqësve për Ndryshimet Klimaterike, apo dhe Takimi Vjetor i Udhëheqësve nga Ballkani. Gjithashtu Meta do të jetë i pranishëm në Takimin A5 në kuadrin e Kartës së Adriatikut, Takimin Vjetor të Aleancës së Civilizimeve, si dhe takimin e vendeve të Komunitetit të Demokracive, etj. Konfirmohet nga burime të MPJ se z.Meta do të marrë pjesë dhe në takimin Vjetor të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike. Gjithashtu, z. Meta do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologët nga vendet e BE-së, rajoni dhe nga mbarë bota. Shqipëria është një anëtare e vjetër e OKB-së (që më 1955).
...