E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: Debat politik i takon politikës së Shqipërisë, jo BE-së

 
Kreu i delegacionit të KE-së thotë se angazhimi i administratës në situatën emergjente në Shkodër nuk ka ndikuar negativisht në plotësimin e pyetësorit
 
 
Kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, thotë se Bashkimi Europian do ta ndihmojë Shqipërinë për kapërcimin e dëmeve që shkaktoi përmbytja e fillimjanarit. Po ashtu ai komenton krizën politike në vend, duke përsëritur se zgjidhja i përket klasës politike shqiptare. Përsa i përket plotësimit të pyetësorit të KE-së, Lohan beson se angazhimi i administratës në kapërcimin e situatës emergjente nuk ka shkaktuar vonesë në dhënien e përgjigjeve
 
 
 
-Këtë javë qeveria e Tiranës fillon dëmshpërblimin e familjeve dhe të bizneseve të dëmtuara nga përmbytjet në Shkodër. Faza e emergjencës është duke i lënë vendin asaj të rehabilitimit. A do të vazhdojë ndihma e BE-së edhe në këtë fazë, zoti ambasador?
Solidariteti i BE-së nuk do të ndalojë tani. Pas përfundimit të fazës së emergjencës do të ketë një fazë shumë të rëndësishme. Kjo është faza e rehabilitimit të tokës bujqësore, të shtëpive të përmbytura, të dëmeve që ka pësuar mjedisi, të rrugëve, përmirësimin e sistemit të kullimit të tokave, apo thellimin e shtratit të lumit Buna. Tani për tani nuk mund të them saktë se çfarë nevojash ka dhe çfarë do të kërkojë Qeveria e Shqipërisë nga BE dhe komuniteti ndërkombëtar. Kjo do të duket në ditët në vijim. Kam besim të plotë se një asistencë konkrete do të jepet nga BE edhe për fazën e rehabilitimit.
-Zoti Lohan, çfarë mbështetjeje u ka dhënë BE gjatë fazës së emergjencës, në dy javët e para të këtij muaji, familjeve në zonat e përmbytura?
Para së gjithash, përfitoj nga rasti për të treguar simpatinë, dhembshurinë dhe solidaritetin që Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare ndjejnë për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër. Ky solidaritet ka marrë një formë shumë konkrete: nga njëra anë një ekip ekspertësh të BE, i përbërë prej shtatë vetash, ndodhet në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë që të analizojë nevojat e familjeve të prekura dhe të koordinojë shpërndarjen e ndihmave ndërkombëtare që po mbërrijnë në këto zona. Nga ana tjetër, solidariteti i BE-së ka marrë formën e asistencës teknike me mjete transporti, me produkte ushqimore, medikamente mjekësore, që i dërguan dhe vazhdojnë t'i dërgojnë Shqipërisë vendet anëtare. Brenda një kohe shumë të shkurtër, pothuajse menjëherë pas kërkesës së bërë nga qeveria e Tiranës. Jam i sigurt që popullsia në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër dhe autoritetet e Shqipërisë vlerësojnë solidaritetin e treguar deri më tani nga BE dhe vendet anëtare.
-Zoti Lohan, a mendoni se angazhimi total i qeverisë dhe administratës për dy javë rresht në përballimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet në Shkodër mund të ketë lënë disi pas dore plotësimin në kohë të pyetësorëve të Komisionit Europian lidhur me marrjen në shqyrtim të kërkesës së saj për statusin e vendit kandidat? Këto pyetësorë duhen dorëzuar në fund të shkurtit. s
Kam përshtypjen se kolegët në administratën shqiptare po punojnë shumë për t'u dhënë përgjigje pyetjeve të këtij pyetësori. Ka mbetur edhe pak kohë për administratën, për të kontrolluar cilësinë e përgjigjeve dhe konsultuar me dikasteret e përfshirë në këtë proces dhe shoqërinë civile. Nuk mendoj që puna për plotësimin e pyetësorit të Komisionit Europian lidhur me progresin e bërë dhe marrjen në shqyrtim të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim me BE të jetë vonuar, për shkak të përqendrimit të burimeve kryesore të qeverisë në daljen nga emergjenca të situatës në zonat e përmbytura.
-çfarë mendoni për situatën politike, kur opozita vazhdon të mbetet jashtë dyerve të parlamentit?  
Bashkimi Europian tani po ndihmon qeverinë e Shqipërisë të përballojë situatën në zonat e përmbytura dhe të tregojë solidaritetin e tij me familjet e prekura dhe gjithë zonën e Shkodrës. çdo debat politik i takon klasës politike të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj, dhe jo BE-së.
“Dojçe Vele”
 
 
 
Kriza politike dhe përmbytjet
 
Topi takon ambasadorët e BE
Rikthimi i diskutimeve për bojkotin e Partisë Socialiste dhe mungesa e një zgjidhjeje mes vetë forcave politike në vend ka sjellë “aktivizimin” e selive diplomatike në vend, të cilat kërkojnë faktorizimin e presidentit Bamir Topi, nga i cili pritet organizimi i një tryeze politike. Burimet zyrtare të Presidencës njoftuan se në mesditën e sotme kreu i shtetit do të zhvillojë një takim me ambasadorin e Komisionit Evropian, Helmut Lohan dhe me ambasadorin spanjoll, Manuel Montobio, vendi i të cilin mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Burimet zyrtare nuk saktësojnë arsyen e këtij takimi, megjithatë mësohet se dy çështjet kryesore që do të diskutohen janë ajo e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike dhe kapërcimi i pasojave të përmbytjes në Shkodër. Ky takim i ambasadorëve të Bashkimit Europian është i dyti pas vizitës që u zhvillua pak ditë më parë në Shkodër, ku ende nuk ishte kapërcyer situata emergjente. Në të njëjtën kohë, ambasadorët e Bashkimit Europian kanë zhvilluar takime zyrtare edhe me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe me kreun e Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministër, Sali Berisha. Burimet në qarqet diplomatike saktësojnë se këto vizita të diplomatëve kanë si qëllim mbledhjen e informacionit për mundësitë e zgjidhjes së krizës politike, në mënyrë që pastaj të propozohen të gjitha zgjidhjet e mundshme institucioneve më të larta të BE-së.
K. KUçAJ
 
 
 
Bregu: Do të dyfishohen fondet e BE-së për Shqipërinë
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha dje, se me aplikimin dhe marrjen e statusit te vendit kandidat, Shqipëria do të përfitojë një dyfishim të fondeve nga Bashkimi Europian, për shkak të ecurisë në proceset integruese. Këto deklarata Bregu i bëri në takimin e djeshëm me një mision nga Komisioni Europian, me përfaqësues të drejtorive të zgjerimit, punësimit, bujqësisë, çështjeve rajonale për përgatitjet e palës shqiptare për menaxhimin e decentralizuar të asistencës komunitare. Bregu tha se me aplikimin dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria do të përfitojë jo vetëm nga dy komponentët e parë të IPA-s, asistencës financiare të Bashkimit Europian, por edhe nga tre komponentët e tjerë të Instrumentit të Parazgjerimit (IPA): fondet e Zhvillimit Rajonal, Zhvillimit të Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Rural. 
“Në terma financiarë, këta komponentë përfaqësojnë më shumë se një dyfishim të fondeve të mbështetjes së Bashkimit Europian”, tha ministrja, duke bërë të ditur se në këtë takim do të lançohet programi dhe harta e përbashkët Shqipëri-BE për fillimin e përgatitjeve për fondet e Zhvillimit Rajonal, Zhvillimit të Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Rural, fonde këto që do përfitohen në momentin kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i cili merrte pjesë në takim, tha se në përfundim të këtij procesi, Shqipëria do të jetë e aftë të menaxhojë nëpërmjet autoriteteve të saj të gjithë fondet e ndihmës së BE-së, duke u përgatitur për fondet strukturore dhe të kohezionit të periudhës së anëtarësimit.
K. K.
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›