E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Korrupsioni mbetet një problem

Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, deklaroi dje se korrupsioni mbetet një problem serioz për Shqipërinë. Pas deklaratës së disa ambasadorëve një ditë më parë, edhe diplomati gjerman që është i dërguari i Brukselit zyrtar në Tiranë, e ka konsideruar një "lajm të keq" raportin e "Transparency International". Në fjalën e tij gjatë konferencës rajonale për biznesin, që u zhvillua dje, ambasadori Helmut Lohan theksoi se niveli i korrupsionit në vend mbetet mjaft shqetësues.

Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian ka kërkuar të realizohen reformat e duhura dhe të bëhet më shumë në luftën antikorrupsion. "Transparency International" publikoi dy ditë më parë indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2009, ku Shqipëria renditej në vendin e 95-të, me koeficient 3.2, ndërkohë që një vit më parë ajo renditej në vendin e 85-të. Lajm të keq për Shqipërinë e cilësuan raportin edhe 6 ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë, të cilët reaguan nëpërmjet një deklarate të përbashkët për shtyp. Ata e konsideruan shqetësim të madh korrupsionin dhe kërkuan marrjen e masave urgjente për të ndryshuar këtë tendencë. Ndërkaq, ambasadori Lohan theksoi se biznesit i duhet të përballojë një kosto të lartë, ndërsa vlerësoi se mungesa e gjykatës administrative është problematike. Lohan kërkoi që ligji për këtë gjykatë të miratohet sa më parë, dhe nënvizoi se mungesa e opozitës në Kuvend përbën një problem për mosmiratimin e mjaft ligjeve të rëndësishme. Lohan siguroi se KE do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë me asistencë dhe këshillat e duhura për përparimin e vendit. "Shqipëria dhe vendet e Ballkanit nevojitet që të thellojnë më tej reformat e nisura për të zhvilluar ekonominë, të përmirësojnë klimën e biznesit dhe të tërheqin investimet e huaja". Kështu deklaroi drejtorja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kamila Nuamah, në konferencën rajonale për reformat dhe biznesin në Europën Juglindore. Në progres-raportin e publikuar në mesin e muajit të kaluar, Komisioni Europian e cilësonte korrupsionin si një ndër fenomenet më negative që pengon Shqipërinë në integrimin e saj drejt BE-së.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›