Lohan: Opinioni i Brukselit, varet nga mirëfunksionimi i demokracisë
Kreu i delegacionit të KE-së dhe ambasadori spanjoll, sot në zyrën e Presidentit
Bashkimi Europian nis aksionin e tij të fortë politik për të vendosur nëse do t’i hapë Shqipërisë portën e radhës për të vazhduar drejt integrimit apo do ta mbyllë, duke e vonuar procesin edhe më tej. Ndërkohë që në kryeqytetin e BE-së, Komisioni po i jep dorën e fundit opinionin që do t’i paraqesë Këshillit të Ministrave nëse e meriton vendi ynë të marrë statusin e kandidatit apo jo, nga Tirana ka ardhur një mesazh i fortë nga i dërguari i Brukselit në kryeqytetin shqiptar. Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, ka deklaruar në mënyrë të qartë dje se “është koha t’i jepet fund stanjacionit politik në Shqipëri. Këtu nevojitet të kthehet sa më parë demokracia parlamentare funksionale. Siç e dini, Komisioni Europian po përgatit opinionin për sa i përket statusit kandidat për Shqipërinë, por çdo zgjatje e situatës aktuale politike do të dëmtojë objektivin e përgatitjes së opinionit. Ne do të mirëpresim hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë”. Në mënyrë të hapur diplomati gjerman që drejton zyrën e Brukselit në Tiranë ka bërë të ditur se aktorët politikë kanë në dorë fatin e integrimeve të vendit. Në muajin shkurt në Shqipëri do të vijnë dy delegacione të Komisionit Europian që do të shohin zbatimin e detyrimeve për vizat.
Vetëm pas një jave, dyshja drejtuese e Bashkimit Europian në Tiranë rikthehet sërish në zyrën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për të diskutuar situatën politike në vend. Një ditë pas miratimit të rezolutës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së dhe ambasadori Helmut Lohan, do të zhvillojnë një takim me kreun e shtetit shqiptar. Thelbi i këtyre bisedimeve do të jetë pa dyshim zgjidhja e krizës politike në vend.
#