Karzai: Ja si do ti integrojmë talebanët në shoqërinë afgane
Presidenti ka deklaruar se do të ketë nevojë për ndihmat e Perëndimit edhe për 15 vitet e ardhshme
“Afganistani do të ketë nevojë për mbështetjen e Perëndimit edhe për 15 vitet e ardhshme”, tha Presidenti afgan, Hamid Karzai, pak para fillimit të konferencës ndërkombëtare për Afganistanin që çeli punimet në Londër. “Për sa i përket trajnimit dhe ekuipazhit të forcave të sigurisë afgane, pesë apo dhjetë vitet e ardhshme do të jenë të mjaftueshme, ndërsa për sa i përket mbështetjes financiare, deri kur vendi të jetë në gjendje të ecë me këmbët e veta, do të duhen ndihma ndërkombëtare nga 10 deri në 15 vjet”, tha ai në një intervistë për “BBC”-në. Konferenca ku do të marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të thuajse 70 vendeve u hap me tentativën për të nisur negociatat me pjesën më të moderuar të talebanëve, ku vendet donatore mund të krijojnë një fond që shërben për të tërhequr përmes stimujve ekonomikë luftëtarët më pak ideologjikë”. Me pak fjalë, Afganistani po punon mbi një plan kombëtar për integrimin në shoqëri të talebanëve të moderuar dhe u kërkon vendeve fqinje dhe komunitetit ndërkombëtar të mbështesin përpjekjet e tij për paqe. “U kërkojmë fqinjëve tanë, dhe në veçanti Pakistanit, të mbështesin planin tonë kombëtar. Shpresojmë që Mbreti saudit, Abdullah, mund të luajë një rol domethënës për të udhëhequr dhe vendosur progresin e paqes”, tha Presidenti afgan. Karzai saktësoi se “oferta u përket talebanëve që nuk janë pjesë e Al Qaedas dhe që e pranojnë Kushtetutën afgane”. “Do t’u kërkohet me të gjitha mjetet paqësore të dorëzojnë armët dhe të bëhen pjesë e komunitetit ndërkombëtar”. Në propozimin e Kabulit, paketa: punë, edukim, toka dhe pension, u drejtohet më shumë komiteteve, se sa individëve të caktuar, në kuptimin që do të “vlerësohen” ato fshatra apo grupe fshatrash ku banorët do t’i dorëzojnë armët. Por, pavarësisht mobilizimit të komunitetit ndërkombëtar, të interesuarit direkt nuk duket se duan t’i japin rëndësi këtij takimi: “Ka pasur konferenca të ngjashme në të kaluarën dhe asnjëra nuk i ka zgjidhur problemet e Afganistanit”, lexohet në një komunikatë të këshillit të komandës së talebanëve.
Nga ana tjetër, Kryeministri britanik, Gordon Brown u dërgoi një mesazh terroristëve: “Do t’ju mundim kudo që jeni, në çdo vend që gjeni strehim. Do t’ju mundim jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në mendjet dhe zemrat e njerëzve”. Ai nënvizoi se nuk mund të ketë dialog me ata që nuk heqin dorë nga dhuna: “Zgjidhja e vetme që kemi kundër tyre është ajo ushtarake”. Sipas Brown, forcimi i forcave të armatosura afgane është thelbësor për planet që parashikojnë integrimin e ish-luftëtarëve talebanë në shoqërinë afgane dhe për gjithë procesin e paqes në vend. Edhe Richard Holbrooke, i dërguari special i Presidentit Obama për Afganistanin dhe Pakistanin, do të prezantojë një plan të përbërë nga dy faza: riintegrimin në shoqërinë afgane të talebanëve që janë të gatshëm të dorëzojnë armët dhe “pranimin” e rebelëve me qeverinë e Presidentit Karzai.
#