Arumunët: Na regjistroni si pakicë kombëtare
Reagimi
Shoqata “Aurumunët e Shqipërisë” kritikon mënyrën e trajtimit dhe tendencat për tjetërsim identiteti
Ashtu siç pritej, regjistrimi i popullsisë mbi baza etinke ka aktivizuar përfaqësuesit e komunitet arumun në Shqipëri në kërkesën për t’u njohur si minoritet kombëtar. Shoqata “Arumunët e Shqipërisë” ka dalë dje me një deklaratë me anë të se cilës kryetari Vangjel Shundi dhe sekretari i përgjithshëm Robert çollaku, u bëjnë thirrje institucioneve shqiptare të njohin komunitetin arumun si pakicë kombëtare, duke dhënë edhe argumentet e tyre për këtë këresë.
Në deklaratë thuhet se “arumunët (vllehtë) kanë qenë dhe do të mbeten në vazhdimësi qytetarë luajalë të shtetit shqiptar”.
Sipas krerëve të shoqatës, arumunët nuk do tërhiqen në kurthin retorikeve të korruptuara, të cilat synojnë tjetërsimin e tyre, duke u kthyer në një masë të manipuluar në shërbim të interesave të huaja.
Sa i përket debatit, nëse është apo nuk është etni popullata arumune, Shundi dhe çollaku mendojnë se nuk kanë qëllim tjetër veç acarimit të marrëdhënieve ndëretnike.
“është e tepërt të kujtojmë se arumunët janë njohur si etni më vete që në fund të shekullit të XIX, nga Rilindësit tanë, si p.sh. Sami Frashëri dhe në shekullin e XX, si p.sh. nga At. Gjergj Fishta në 1920 dhe Eqerem çabej në vitin 1936, për të cilat shoqata jonë disponon referenca të literaturës së kohës, pa bërë fjalë për shumë e shumë dokumente të tjera edhe nga regjistrimet në gjendjen civile para 1938, por edhe pas vitit 1944”, thuhet në deklaratë, ndërsa shprehet keqardhja për qëndrimin e disa historianëve me zë në Shqipëri, që sipas shoqatës, “i injorojnë këto dokumente dhe janë përfshirë nga ethet e idesë se arumunët janë asimiluar”.
Shoqata e quan jo normale që në kërkim të përgjigjes për përkatësinë etnike nuk është vënë ajo arumune ose rrëmëne, siç i thërrasin njeri-tjetrit pjesëtarët të etnisë sonë në Shqipëri. “Do të ishte një gjest mirëkuptimi korrigjimi i kësaj përgjigjeje, që në vend të fjalës ˝vlleh˝ të vihej: ˝vlleh/rrëmën (arumun)˝. Kjo do të ishte më saktë dhe do të largonte çdo keqkuptim për këdo që do të deklarohet si i tillë. Lënia vetëm e fjalës ˝vlleh˝, do të krijonte mundësi spekulimi në interes të një pale të jashtme”, thuhet në deklaratë.
#