Lohan: Shqipëria ka bërë progres, por jo sa ç’duhet
“Progresi i Shqipërisë në zbatimin e reformave është si gota gjysëm bosh dhe gjysëm plot”. Ky është përkufizimi që ambasadori i Komisionit Europian Helmut Lohan i ka bërë realizimit të reformave nga qeveria shqiptare nga 1 tetor 2007- 1 tetor 2008. Dje ambasadori Lohan i dorëzoi kryeministrit shqiptar progres raportin voluminoz me 50 faqe, ku detajohet të gjitha arritjet dhe problemet që ka shteti shqiptar në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Në konferencën e përbashkët për shtyp mes kryeministrit Berisha dhe ambasadorit të KE, Lohan ky i fundit vlerësoi se ka pasur ecuri përsa i përket konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Raporti i KE-së bën thirrje që qeveria shqiptare duhet të bëjë kujdes me zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare “Zgjedhjet parlamentare duhet të përgatiten sic duhen dhe të zhvillohen në përputhje me standarded ndërkombëtare. Përfundimi i Reformës zgjedhore do të kërkojë adaptimin e një kodi elektoral gjithë përfshirës i cili do të lejojë zgjedhjet të lira dhe të ndershme, prioriteti kryesor për ortakërinë me BE-në”. Përsa i përket luftës kundër korrupsionit Lohan tha, se ka përmirësim në këtë drejtim, por se lufta kundër krimit mbetet ende problem. Ambasadori Lohan vlerësoi rritjen e ekonomisë shqiptare dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit. “Është vënë re progres në fushën e privatizimin dhe përmirësime të tjera në fushën e biznesit. Në të ardhmen duhet të ketë reforma të konsiderueshme që ekonomia shqiptarë të përballet me normat që kërkon tregu i BE-së”, tha Ambasadori Lohan në konferencën e përbashkët për shtyp, me kryeministrin Berisha.
6 Nentor 2008