Venger akuzon: “Lojtarët e mi po dëmtohen qëllimisht”
Arsen Venger akuzoi disa lojtarë kundërshtarë se janë duke dëmtuar seriozisht formacionin e tij, teksa Arsenali përgatitet të dyluftojë me Fenerbahçen në Ligën e Kampioneve.
Arsenali ka një listë të gjatë dëmtimesh dhe përfundimisht do të luajë pa sulmuesin Emanuel Adebajor dhe mbrojtësit Emanuel Eboue dhe Uiliam Gallas në përplasjen e grupit G në “Emirates”, që mund edhe t’i sigurojë një vend në 16 ekipet më të mira.
Anësori Teo Uallkot gjithashtu është jashtë formacionit pas dëmtimit të tij në shpatull në humbjen 2-1 kundër Stok Sitit në Premier Ligë. “Kur unë dëgjoj njerëzit të thonë se ekipi im nuk është i zoti, mund të tregoj se lojtarët e mi janë të zotë”, - tha Venger gjatë një konference shtypi. “Për mua ju keni në nevojë për më shumë kurajë të luani futboll kur dikush është duke ju goditur nga pas dhe nuk ka qëllim të luajë futboll, por vetëm me një qëllim vetëm t’u dëmtojë ju. Unë mund t’ju tregoj goditjet ku mund të provoj këto që jam duke thënë”. Venger pohoi se ai shpreson se Uallkot të jetë i gatshëm për ndeshjen e Premier Ligës kundër Mançester Junaitid të shtunën, ndërkohë që Gallas do të mungojë. Fitorja e Arsenalit kundër vizitorëve të Fenerbahçes do ta çojë Arsenalin në kuotën e 10 pikëve kur do të mbesin edhe dy ndeshje për të luajtur, çka garanton edhe progresin për në raundin me eliminim direkt. “Sapo të kualifikohemi në Ligën e Kampioneve ne do të fokusohemi në Premier Ligë dhe kemi mundësinë të lëmë pushim disa lojtarë”, - tha Vengeri. “Është e rëndësishme të kualifikohemi sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi ne kemi pasur dy eksperienca të këqija kohët e fundit”.
Mançesteri, rokadë portierësh
Portieri Ben Foster do të bëjë debutimin e tij në Ligën e Kampioneve për Mançester Junaitid kundër Sëlltikut, pasi klubi vendosi të lërë pushim zgjedhjen e parë Edvin van der Sarin.
Junaitid pohoi në uebsajtin e tij se holandezi Va nder Sar nuk do të udhëtojë drejt Skocisë. Kampionët e Europës do të jenë edhe pa mbrojtësit Ues Broun e Geri Nevil si dhe të dëmtuarit prej një kohe të gjatë, Pol Skolls e Ouen Hargrivs. Djaloshi brazilian parashikohet të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjes në vend të lojtarit me eksperiencë, Nevil. Paraqitja e vetme e Fosterit me Junaitid është ajo kundër Derbi Kountit në Premier Ligën angleze.
Fitorja për Junaitid në grupin E do të sigurojë një vend për në 16 më të mirat e Europës, ndërsa humbja për Sëlltik do të thotë lamtumirë nëse Vilareali kryesues nuk do të humbasë me Alborgun.
“Marca” sulmon Mesin
Ylli argjentinas, Lionel Mesi, ka pështyrë një kundërshtar në Malaga dhe e përditshmja madrilene “Marca” shkruante se një gjest i tillë dukej qartë në pamjet televizive. Sipas eurosport, sulmi i gazetës kryeqytetase mund të jetë frymëzuar edhe nga pozita jo komode e Realit në kampionat pas barazimit 1-1 kundër Almerias, ndërkohë që Barcelona e Guardiolës e Mesit fitoi 4-1 me Malagën.
Liçaj, trajneri i ri i Flamurtarit
Pas pranimit të dorëheqjes së kroatit Slavko Kovaçiç, kryebashkiaku i Vlorës, njëherazi edhe president i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka emëruar edhe trajnerin e ri të kuqezinjve të Vlorës. Ai është Edmond Liçaj, ish-trajneri i Kombëtares U-17 dhe U-19, ndërkohë që së fundi në klubin kuqezi ka mbajtur edhe rolin e drejtorit teknik. Gjatë prezantimit të tij në krye të stolit vlonjat, presidenti Shpëtim Gjika u shpreh: “Licaj e njeh më mirë se askush skuadrën, pasi ka qenë pranë saj gjatë gjithë kohës. Kështu, meqë Kovaçiç dha dorëheqjen, menduam që t’ia besojmë Mondit vazhdimin e punës. Kam besim se ai do të arrijë të gjejë ekuilibrat e duhur në skuadër dhe do t’u kthehet rezultateve pozitive.”
5 Nentor 2008