E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, oficerët e burgut "rrihen" tek kazani i rakisë

 BURREL - Katër oficerë të Burgut të Burrelit dhe shoferi i drejtorit të këtij institucioni janë përfshirë mbrëmjen e të mërkurës në një sherr mes tyre. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se ngjarja ndodhi në banesën e oficerit të informacionit, Elmaz Dika, i cili po sipas këtyre burimeve po ziente rakinë. Oficeri tjetër i informacionit Ilir Domi, i cili pretendon se është dhunuar në banesën e Dikës, në prani të titullarëve dhe punonjësve të këtij burgu ka bërë kallëzim para para oficerëve të policisë gjyqësore. Domi shprehet se rreth orës 16.10 është ndodhur në banesën e kolegut të tij, së bashku me drejtorin e këtij institucioni Shkëlqim Gjoçuka, shefin e policisë së burgut, Shkëlqim Dodolli dhe shoferin e drejtorit Fatmir Xheka. "Në bisedë e sipër jam goditur nga të pranishmit dhe menjëherë kam pësuar hemorragji nga koka. Më agresivi nga të gjithë ishte i zoti i shtëpisë Elmaz Dika dhe ende nuk jam i qartë cilat ishin motivet e dhunës që ai ushtroi ndaj meje", është shprehur Domi, ish-nëndrejtor i burgut disa vite më parë. I pyetur për ngjarjen, drejtori i burgut, Shkëlqim Gjoçuka mohon që ai dhe vartësit e tij të kenë dhunuar Ilir Domin. Ai thotë se pasditen e së mërkurës është ftuar me këmbëngulje nga Dika për të pirë kafe në shtëpinë e tij e më pas dhe nga vetë Domi. Gjoçuka u shpreh se vartësi i tij ishte i dehur dhe pasi i ka sugjeruar të linte rakinë është larguar. Personat e tjerë kanë pohuar se, oficeri është dëmtuar pasi është përplasur në një bllok betoni në derën e ambientit ku ndodheshin.                            h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›