E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan, takim i fshehtë në selinë e PS-së

Autori i Lajmit: Redaksia

Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Helmut Lohan është parë dje të dalë nga selia rozë, ku ka zhvilluar një takim me liderin e opozitës Edi Rama. Askush nuk e ka ditur se brenda në selinë rozë po zhvillohej ky takim i papritur rreth orës 11: 30 të paradites së djeshme. Madje për këtë nuk ka pasur asnjë njoftim për mediat. Gjithçka është mësuar vetëm pasi kamerat që gjendeshin në selinë rozë për një konferencë të deputetit Besnik Bare kanë fokusuar duke dalë ambasadorin e Komisionit Europian, Helmut Lohan. Ashtu siç edhe dihet Lohan ka qënë një ndër negociatorët e tryezës së zhvilluar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi për të bindur palët që të zgjidhin krizën por kjo tryezë ka mbetur pezull. Vizita e diplomatit merr një rëndësi të veçantë duke marrë parasysh edhe zhvillimet më të fundit në politikë dhe konkretisht brenda Partisë Socialiste ku të shtunën në Asamblenë Kombëtare ajo vendosi vazhdimin protestave. Fill mbas këtij vendimi vjen dhe takimi Lohan-Rama befasisht dhe i papritur. Burime pranë zyrës së kryetarit të PS-së thanë për gazetën Ballkan se shqetësimi i Ambasadorit Lohan ka qenë “marrëdhënia e kushtëzuar e PS me Kuvendin”. Asambleja paralajmëroi se nga kjo javë protestat do të zhvillohen në të gjitha qytetet, ndërsa më 30 prill do të zhvillohej protesta e madhe në Tiranë. Gjithashtu vendosi që të vazhdojë marrëdhënien e kushtëzuar me Kuvendin, çka do të thotë se deputetët socialistë do të jenë seancë parlamentare vetëm për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Jo rastësish u zhvillua ky takim pasi edhe tryeza e mbledhur nga Topi nuk pati rezultat por që akoma nuk është deklaruar një përfundim i saj. Ky takim duket se po i jep jetë kësaj tryeze të lënë pezull. Megjithatë burime brenda selisë rozë bëjnë të ditur se takimi në qendër të diskutimeve ka pasur protestat ku pritet të fillojnë fuqishëm për një muaj rresht nga opozita. Takimi i djeshëm i Lohan tregon se ndërkombëtarët vijojnë përpjekjet për ë zgjidhur krizën politike. Pikërisht në këtë kuadër mendohet të ketë qenë dhe takimi i djeshëm i kreut të KE-së me liderin e opozitës Edi Rama. Vetëm pak ditë më parë Ambasadori i KE-së në një takim të zhvilluar në Tiranë në kuadër të misionit të asistencës PAMECA 3, është shprehur se “kemi parë progres të rëndësishëm gjatë këtyre gjashtë muajve. Kemi parë progresin e projektit PAMECA jo vetëm në ecjen e tij përpara, por edhe në dhënien e këshillave konkrete përsa i përket liberalizimit të vizave”. Gjithashtu Lohan është shprehur i sigurtë se kjo punë e deritanishme do të gjenerojë më shumë sukses në periudhën afatgjatë dhe mendoj se projektet janë tashmë në rrugë të drejtë. “Do të përmendja në veçanti progresin e evidentuar edhe nga ekspertët e misionit të Komisionit Europian në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Progresi në këtë fushë është raportuar edhe më parë nga kolegët ambasadorë. Do të thoja se ky progres erdhi në kohën e duhur” ka deklaruar ai

Ky lajm është publikuar: 30/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›