E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja e kobshme

Nga Nexhmije Ahmeti më 15 shkurt 2011 në ora 20:37

Një shtëpi e braktisur në rrugën “Muhamet Çami” në Prishtinë është bërë sebep i vdekjes së një vogëlushi.

Fatlum Aliu, katërvjeçar, luante çdo ditë në oborrin e asaj shtëpie të vjetër. Të hënën, loja e tij u ndërpre, kur muri i shtëpisë u shemb dhe ra mbi trupin e vogëlushit. Nga shembja e murit, Fatlumit iu shkaktuan plagë vdekjeprurëse.

Ai u varros të martën, derisa familjarët e tij nuk mund të pajtoheshin me atë çka ka ndodhur. Nga mërzia, ata nuk deshën që të flasin për gazetë, por njëri prej të afërmeve të kësaj familjeje tregoi për ditën tragjike.

“Është dalë si çdo ditë me lujtë me fëmijët e tjerë, muri u shemb dhe e ka zanë Fatlumin”.

Të afërmit rrëfejnë se nëna e Fatlumit të ndjerë ende s’e ka marrë veten nga tragjedia. Ai ishte fëmija më i vogël i familjes Aliu. Shtëpia e vjetër që ia ka marrë jetën gjendet vetëm disa metra larg dyerve të shtëpisë së tij. Për rastin të martën ka raportuar edhe Policia.

Duke e cilësuar rastin si vdekje të dyshimtë, policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën, rreth orës 14 e 30.

“Në rrethana të pasqaruara është shembur një pjesë e objektit, që e ka zënë viktimën, me ç’rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›