E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mërkurën debatohet për Kosovën në OKB

Këshilli i Sigurimit i OKB’së do të debatojë për gjendjen në Kosovë në një seancë që mbahet të mërkurën në New York. Në takim do të flasë edhe Zëvendësministrja e Jashtme Vlora Çitaku, Shefi i UNMIK’ut, Lamberto Zannier si dhe përfaqësuesi i Serbisë. Nga Express më 15 shkurt 2011 në ora 19:45

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë të enjten raportin e radhës për gjendjen në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së Ban Ki-moon, që përfshin zhvillimet më të rëndësishme në vend gjatë katër muajve të fundit.

Në raport Sekretari i Përgjithshëm shpreh keqardhjen për shpërbërjen e koalicionit qeverisës në tetor të vitit të kaluar duke thënë se shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme e shtyu dialogun e paralajmëruar midis Prishtinës dhe Beogradit.

Në raport flitet edhe për zgjedhjet nacionale në Kosovë dhe akuzat e Dick Martyt.
Edhe në këtë seancë Kosovën do ta përfaqësojë ushtruesja e detyrës së Ministrit të Jashtëm, Vlora Çitaku e cila tashmë ndodhet në New York ku është takuar me disa diplomatë.

MPJ e Kosovës ka njoftuar se Çitaku ka biseduar me ambasadorë të shteteve të Amerikës Latine, Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, ku është kërkuar njohja e Republikës së Kosovës.

Ajo ka pasur një mëngjes pune me Ambasadoren Amerikane në OKB, Rosemarie Di Carlo, ku është diskutuar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe për perspektivat e së ardhmes, siç është konsolidimi i institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve, procesi i dialogut me Serbinë, raporti i Kosovës me OKB-në, etj.

Çitaku do të takohet edhe me ambasadorë të vendeve tjera të Quintit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›