E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja “luftash” e Berishës me drejtësinë

Nga Mero Baze

Një grup fshatarësh në Porto Romano kanë disa javë që protestojnë për mos-hipotekimin e tokave të tyre. Fabula e tyre është shumë e thjeshtë. Ata kanë marrë tapi nga ndarja e tokës me Ligjin 7501, por toka nuk iu regjistrohet. Të vetmit që kanë pasur fatin ta regjistrojnë, janë ata banorë të zonës, të cilët ia kanë shitur këtë tokë klientit të studios Kola-Malltezi (pra vajzës së kryeministrit Berisha), të cilët e kanë regjistruar më pas në emër të shoqërisë së Damir Fazlliçit. Nëse verifikon dokumentet e blerjes së tokës nga kjo kompani, e shikon se koha nga regjistrimi i tokës së fshatarëve deri te kalimi në pronësi të tyre është e tillë që të lë të kuptosh qartë se Fazlliç përmes avokatëve të vet ka para-blerë tapitë e ndara nga toka shtetërore dhe në shkëmbim të regjistrimit të tyre ua ka blerë atë për “një copë bukë”. Sapo toka është blerë nga Fazlliç, studioja Kola-Malltezi ka nisur negociatat me një investitor nga bota arabe për ta shitur atë si projekt për një termocentral rreth 150 megawat. Nëse u hedh një sy negociatave të studios Kola-Malltezi dhe investitorit të interesuar, shikon qartë dy probleme. E para, se studioja e vajzës së kryeministrit, që vazhdon të jetë e regjistruar si person fizik, pra si biznes i vogël, një faturë shërbimesh e ka rreth 8 mijë euro, dhe i bie që me dhjetë fatura të tilla, që mund t’i bëjë brenda javës, ta plotësojë limitin e personit fizik brenda gjysmë muaji. Problemi i dytë që verifikohet qartë është se kjo studio në ofertat e saj, përveçse shet shërbimin, shet dhe atë që quhet “fee” e suksesit, e cila shpesh shkon deri në 3 për qind sipas vetë letërkëmbimeve të zonjës Malltezi për këtë çështje. Nëse llogarisim pastaj cilët janë klientët e zonjës Malltezi në Shqipëri, çfarë koncesionesh kanë marrë dhe sa i bie një “fee” prej 3 për qind për suksesin e sigurt që ato kanë, duke pasur babanë kryeministër, e kupton qartë pushtetin real të familjes së kryeministrit në ekonominë shqiptare.

Po e sjell në vëmendje këtë fakt, një ditë pasi prokuroria ka mbyllur njësoj si në rastin e Lulzim Bashës me procedurë hetimet për sekserin e familjes në pushtet, Damir Fazlliç. Historia e pazakontë e kësaj marionete në duart e familjes së kryeministrit është një histori e madhe korrupsioni, nga ato që do të jetojnë gjatë, jo vetëm në faqet e shtypit, por shpresoj një ditë dhe në bankën e akuzës para drejtësisë shqiptare. Janë së paku tri çështje që prokuroria shqiptare nuk kishte arsye t’i neglizhonte për të pritur letër-porositë nga Qiproja për Damir Fazlliçin. Deklaratat e tij publike bëjnë të qartë se ai është pronar i “Altaria Research LTD” në Qipro, e cila është pronare e “Rudnap Energy” në Kroaci, e cila na ka shitur mbi 100 milionë euro energji elektrike, jo me tender të hapur, por me vlerësim ofertash nga KESH. Nuk e di çfarë e ka penguar prokurorinë të zbarkonte në zyrat e Gjergj Bojaxhiut dhe t’i merrte nën kontroll gjithë e-mail-et, me të cilat Damir Fazlliç ka fituar miliona euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që kryeministri Berisha ka deklaruar se, “nëse ai ka marrë qoftë dhe 1 euro nga paratë publike, atëherë ka marrë miliona euro”.

Së dyti, nuk e kuptoj se si prokuroria ka toleruar që një avokate e studios Kola-Malltezi të tërheqë një shumë mbi 1,5 milionë euro nga llogaria personale e Fazlliçit në Tiranë, ardhur pa arsyetim nga një kompani me bazë në Zvicër dhe të mos hetojë rrugët shqiptare ku kanë përfunduar këto pará.

Së fundmi, nuk e kuptoj se si transaksioni i blerjes së tokës në Porto Romano nuk përbën objekt hetimi për hipotekën e Durrësit, e cila ka përdorur pushtetin politik për të favorizuar vetëm klientët që i ofronin tokën këtij sekseri të familjes në pushtet.

Mbyllja e kësaj çështjeje për shkak të afateve dhe vonesave të letër-porosive është një akt i turpshëm i drejtësisë shqiptare, e cila, e gjunjëzuar para përdhunimit publik që kryeministri po i bën drejtësisë, është kthyer në specialiste të mos-hetimit të asnjë çështjeje korruptive, gjurmët e së cilës të çojnë në familjen e Sali Berishës. Kështu u veprua me dosjen e Lulzim Bashës, kështu u veprua me çështjen Fazlliç dhe kështu është vepruar dhe me lidhjet politike të dosjes së Gërdecit, ku djali i kryeministrit, lobisti kryesor në hartimin e kontratës, dhe botuesi i gazetës “55”, ndërtuesi i fabrikës së vdekjes në Gërdec, janë lënë jashtë pistave të hetimit. Madje, është interesant fakti se ky i fundit ka shantazhuar për një kohë të gjatë dhe publikisht kryeprokuroren për një akt përdhunimi, që paska ndodhur në një pallat ku banon zonja kryeprokurore, por ka kohë që nuk po e përsërit më këtë fakt enigmatik.

Dosja Fazlliç është një histori e rëndë korrupsioni e familjes në pushtet, e cila ka zgjedhur një sekser serbo-boshnjak për të mbuluar trafikimin e pushtetit në biznes dhe përfitimin e milionave prej tij. Nuk jam i shqetësuar se dikush shtyn për më vonë rihapjen e kësaj dosjeje. Nuk jam i shqetësuar as nga krekosja e kryeministrit nga kënaqësia që ka arritur të mbrojë hajdutët e vet nga drejtësia. Jam i shqetësuar vetëm nga fakti që një klient i familjes në pushtet bën kërdinë me qindra-miliona euro dhe kryeministri gëzohet që çështja u mbyll pa u gjykuar nga drejtësia, njësoj si në rastin e burracakut Lulzim Basha. Kam arsye të dyshoj se ‘loja luftash’ e Berishës me prokurorinë dhe gjykatat më në fund po jep frytet e veta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›