E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një herë për Kakomenë

Nga Luftim Ahmetaj

Iu riktheva edhe një herë Kakomesë, mbasi në mënyrë fare rastësore mësova disa fakte të reja që më bindin akoma më tepër për drejtësinë e shkrimit tim të parë mbi këtë temë, botuar para disa javësh në gazetën “Telegraf”, dhe që sigurisht kuptohet gjithashtu, se gjithmonë nuk kam dyshuar asnjëherë në të drejtën pronësore të banorëve të Nivicës (Bubar), pra mbi shumë të përfolurën perlën shqiptare me emrin Kakome. Një firmë ndërtimi pa ndonjë lloj reputacioni të veçantë, pothuajse periferike në sistemin e ndërtimit, çuditërisht në një ditë të kthjellët pa re, por të zezë nga përmasat për banorët autoktonë e të mirë të Nivicës (Bubar), pronarë legjitimë 24 karat të Kakomesë, në mënyrën me partizane të mundshme, por edhe shumë të poshtër, të ndihmuar fuqimisht nga shteti ‘demokratik i Sali Berishës’ dhe policia e tij, pushtoi Kakomenë dhe “filloi ndërtimin.” Filloi ndërtimin është në thonjëza, jo se dëshiroj të bëj gallatë unë, por mbasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë. Pse?

E shpjeguar teknikisht, që të bëhet një ndërtim i zakonshëm dhe jo aq kolosal sa ç’pretendohet nga mediet pranë qeverisë për Kakomenë, do të thotë së paku që të kalosh në një sërë punësh përgatitore të domosdoshme për ndërtimin e një vepre.

Duke mos u marrë fare me problemet e domosdoshme që kërkon plotësimi i dokumentacioneve ligjore apo administrative, pra rutina e pakundërshtueshme burokratike, e cila fatkeqësisht mungon totalisht, në këtë shkrim do të mbështetem vetëm në një logjikë teknike, në të cilën duhet të kalojnë të gjitha veprat që ndërtohen në çdo vend të botës, madje edhe në ato më pak demokratike se Shqipëria dhe që nuk janë pjesëtarë të NATO-s apo që akoma nuk kanë aplikuar për të vajtur në BE.

Që të bësh edhe një projekt fare të zakonshëm, shumë të nderuar lexues, ndoshta dhe jo aq “madhor” sa pretendohet apo amplifikohet në reklamat qeveritare Kakomeja, duhet së pari të kesh kryer një studim shumë të mirë gjeologjik, një studim special ambientalist-ekologjik dhe pastaj të kryesh studimin urbanistik, atë arkitektonik dhe ta përfundosh me projektin konstruktiv teknik.

I përmenda të gjitha këto domosdoshmëri burokratiko-teknike vetëm për të treguar se që të fillojë një punë realisht serioze, duhet patjetër së paku të kalojë në të gjitha këto hallka që unë lançova më sipër dhe që pa diskutim, do apo nuk do qeveria shumë e dashur dhe e ‘pakorruptuar’ e z. Berisha, duhen respektuar, se ndryshe kemi thyer ligjet dhe ndoshta me një qeveri tjetër ndonjë ditë mund dhe duhet të përgjigjemi edhe penalisht.

Tani që po flasim këtu, shumë e famshmja firmë ndërtuese e Kakomesë nuk ka kaluar në asnjërën nga këto hallka teknike, madje është në kërkim të ndonjë inxhinieri me “licencë” (shqiptarët duhet të dinë mirë se vetëm me licencë në Shqipëri mund të jetë çdo individ që ka mbaruar apo jo një shkollë të lartë, dhe që në përgjithësi hiqet shumë, por, ose nuk di asgjë, ose nuk ka mundësi të bëjë asgjë nga ato që kërkohen, mbasi e shkreta licencë në vetvete është vetëm një copë letër).

Pra, një firmë që nuk ka bërë akoma studimin gjeologjik nuk ka mundësi të fillojë projektin, mbasi domosdoshmërisht i duhen disa parametra të gjendjes së tokës për të llogaritur themelet. Pastaj, pa bërë shaka, dihet se pa llogaritur themelet nuk ka mundësi të llogariten të gjitha llojet e tjera të konstruksioneve. Por gjithashtu pa një studim shumë të mirë gjeologjik nuk ka mundësi të bëhet llogaritja e qëndrueshmërisë së shpateve dhe e gjeoambientit, kështu që në Kakome nuk mund të bëhet asnjë lloj gërmimi, mbasi katastrofat ambientale të shoqëruara me rrëshqitjet masive të dherave të shpateve në rast gërmimesh mund të jenë të pariparueshme për zona kaq atraktive siç është dhe duhet trajtuar plazhi i gjirit të Kakomesë.

Mbështetur vetëm në këtë analizë logjiko-teknike, kur pothuajse firma ndërtuese nuk ka bërë asnjë lloj studimi, kur edhe më tepër fshati Nivicë (Bubar) është akoma në gjyq me shtetin mbi të drejtën e pronësisë, atëherë lind pyetja se pse u nxitua shteti në pushtimin mafioz të Kakomesë, madje edhe me forcat e rendit?

Automatikisht çdokujt që është normal dhe që do apo ka respekt për vendin e vet do t’i lindin menjëherë disa hamendësime:

Së pari, ndoshta qeveria kishte interes të mbështeste një firmë franceze, edhe kjo firmë ndoshta pranë qeverisë së saj, dhe kështu mendon se mbështetet nga Franca në iniciativat e saj evropiane. Ndoshta, prag zgjedhjesh jemi!

Së dyti, ndoshta dikush do të jetë paguar, para se Berisha të vinte në pushtet që të bënte pisllëkun Kakome, dhe ky i fundit ia plotësoi amanetin, se ndoshta edhe ai mund t’i nevojitet si diversionist tani. Ndoshta, prag zgjedhjesh jemi!

Së treti, ndoshta dikush, ndonjë levend që po trajton bregdetin edhe me kontestime të Bankës Botërore, mund të ketë menduar për të ardhmen e vet. Ndoshta, prag zgjedhjesh dhe ato edhe mund të humben!

Mund të ketë dhe shumë “Ndoshta” të tjera, por ajo ndoshta që nuk duhet të ndodhë, është ajo që mos ndoshta qeverisë i shkon në mendje të dënojë niviciotët që mbrojnë pronat e tyre, mos ndoshta i shkon mendja të dënojë edhe kryetarin e komunës apo dhe të zgjedhur të tjerë, se edhe këta janë në një mendje me gjithë niviciotët, ndoshta?

Të gjithë të zgjedhurit e bregut (komuna e Lukovës) janë të PD dhe në qoftë se dikujt i shkon mendja t’i linçojë ata, se mbrojnë një të drejtë të patjetërsueshme të tyre, atëherë unë do t’i thoja z. kryeministër se ajo parti që ha njerëzit e vet për interesa jo të ndershme, nuk është demokratike, nuk është e tipit të NATO-s, ajo parti, sigurisht që ju e dini, është e tipit Stalinist dhe Enverist, të cilët ju nuk harroni t’i shani përditë, dhe mirë bëni. Zgjedhjet janë pranë dhe niviciotët e urtë, duke i besuar politikës së re që ka lindur dhe do të kurorëzohet më 28 qershor, do të durojnë edhe pak, se pastaj do të kthehet haka tek i zoti dhe madje dikush do të përgjigjet edhe për të gjitha vuajtjet që iu ka shkaktuar. Prisni, shpresoni, se me siguri do të fitoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›