E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimet për një rrjet trafiku me targat diplomatike

Nga Bledar Lumani

Diplomati shqiptar i kapur me një sasi të madhe droge në makinën e tij me targa diplomatike është në atë detyrë vetëm falë njohjes së familjes së tij me kryeministrin, Sali Berisha. Agim Haxhiu, deri në vitin 2005 punonte si gazetar, por e ka parë veten menjëherë të katapultuar në detyra diplomatike, madje duke patur dhe mundësi zgjedhjeje. Por ai ka synuar pikërisht vendin fqinj, në lindje të Shqipërisë, aty ku fare mirë mund të bëhej kalimi i drogës përmes njërës prej rrugëve më të mëdha të trafikimit në gjithë botën.

Turqia tashmë është kanali kryesor i komunikimit të heroinës së Afganistanit në Evropë e më gjerë. Në krahun tjetër, pikërisht në Itali, një shofer i ambasadës sonë u kap me një sasi droge, çka bën që dyshimet të jenë shumë të mëdha se mund të bëhet fjalë për një rrjet që vepron nën targat diplomatike nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas. Por, pa hedhur dyshime të tilla, prokuroria duhet të hetojë në thellësi për këtë rrjet.

Në fakt, policia shqiptare e ka gjurmuar Haxhiun dhe oficerët e saj të kontaktit kanë informuar për arrestimin e tij Ministrinë e Jashtme. Njoftimet e dyshimta për shtyp të kësaj ministrie përforcojnë faktin se ajo ka qenë e mirinformuar.

Mediet e huaja, të cilat kanë pasqyruar gjerësisht këtë skandal, bëjnë të ditur se Haxhiu ka lëvizur me makinën e tij me targa diplomatike, çka implikon shumë rëndë Ministrinë e Jashtme që u mundua të shfajësohej.

Sipas tyre, Haxhiu nuk është ndaluar as në Bullgari dhe as në Maqedoni për shkak të statusit të tij, por një gjë të tillë e ka bërë Turqia, e cila, sipas të gjitha gjasave, kishte kohë që e ndiqte këtë rrjet. Kështu, dyshimet janë se trafiku diplomatik po bëhej prej kohësh.

Ditën e djeshme nuk ka patur asnjë reagim të qeverisë. Ministria e Brendshme ka heshtur duke mos sqaruar asnjë rrethanë.

Kështu, ka ngelur pa sqaruar, nëse Haxhiu ka patur bashkëpunëtorë të tij në vendin tonë, nëse policia ka patur dijeni për një rrjet të tillë dhe nëse është informuar nga kolegët turq që më parë.

Në një dalje televizive të enjten në mbrëmje, kryeministri, Sali Berisha, tha me mburrje se ai ka luftuar nepotizmin nëpër institucionet shqiptare, pa u ngacmuar nga asnjë gazetar në lidhje me emërimin e Haxhiut që është kryekëput një sponsorizim personal i Berishës.

Shpjegimet e Ministrisë së Jashtme për Haxhiun ngrenë më shumë pikëpyetje

Në Tiranë, Ministria e Jashtme konfirmoi mbrëmë lajmin e publikuar tashmë nga mediet se në Turqi ishte arrestuar për trafik droge diplomati shqiptar, Agim Haxhiu, sekretar i dytë i ambasadës së Shqipërisë në Shkup. Ministria kishte njoftuar më parë se për shkak të mosparaqitjes në detyrë nga datat 1 deri më 6 maj kishte vendosur lirimin e diplomatit nga detyra dhe heqjen e imunitetit të tij diplomatik.

Dje pasdite mediet në Tiranë njoftuan për përfshirjen e sekretarit të dytë të ambasadës shqiptare në Shkup, Agim Haxhiu, në një trafik droge dhe arrestimin e tij nga autoritetet turke, fundjavën e shkuar, pasi në makinën me të cilën udhëtonte i ishin gjetur 65 kilogramë heroinë, me një vlerë prej disa qindra mijëra eurosh.

Autoritetet e Ministrisë së Jashtme fillimisht thanë se nuk kishin asnjë njoftim zyrtar dhe se Haxhiu kishte braktisur detyrën që nga data 1 maj deri dy ditë më parë dhe se për këtë arsye ishte liruar nga detyra dhe ishte zhveshur nga imuniteti diplomatik. Në të vërtetë kjo ishte një mënyrë e tërthortë për të dëshmuar distancimin nga funksionari i ambasadës.

Njoftimi i parë i ministrisë i orës 15 e 37 minuta nuk e përmendte fare përfshirjen e tij në trafik droge, për të treguar se ai ishte ndëshkuar përpara se të bëhej i ditur arrestimi. Por shpjegimet që vetë ministria dha në mbrëmje ngrenë pikëpyetje mbi motivin e masës ndëshkimore, pasi në të thuhet se interesimi pranë autoriteteve turke ishte nxitur nga shqetësimi i familjarëve, të cilët kishin humbur kontaktet me Haxhiun.

Në njoftim sqarohet se “objekti i interesimit ishte sigurimi i çdo lloj informacioni të nevojshëm lidhur me hyrjen eventuale në territorin e Turqisë të shtetasit në fjalë, vendndodhjen e tij, si dhe me ndonjë aksident të mundshëm”.

Autoritetet shqiptare vetëm dje kanë marrë njoftim me shkrim se Haxhiu ka hyrë në territorin turk më datë 1 maj, por asgjë mbi vendndodhjen e tij. Dhe në një situatë të tillë, kur, sipas ministrisë, nuk dihej asgjë e saktë rreth tij e madje dyshohej se diplomati mund të kishte pësuar edhe ndonjë aksident, ndaj Haxhiut merret masa e lirimit nga detyra dhe e zhveshjes nga imuniteti diplomatik për braktisje të pajustifikuar të detyrës, pa ditur se ku kishte përfunduar ky diplomat.

Sipas Ministrisë së Jashtme, fakti se ai ishte arrestuar i është bërë i ditur përfaqësisë diplomatike shqiptare në Turqi vetëm dje pasdite vonë, në orën 17.43 minuta.

Po ashtu, në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare nuk saktësohet nëse makina në të cilën atij iu gjet droga ishte personale apo me targa të përfaqësisë shqiptare në Shkup. Sipas medieve shqiptare, mjeti me të cilin udhëtonte ishte me targa diplomatike. Pavarësisht kësaj, në momentin e arrestimit ai ishte ende një përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar.

Haxhiu është ndaluar në segmentin rrugor Stamboll-Edirne nga autoritetet turke më 2 maj 2009 për tregtim të lëndëve narkotike dhe aktualisht ndodhet në Burgun Maltepe në Stamboll.

Haxhiu u përfshi në shërbimin diplomatik shqiptar pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 2005. Deri në ato momente ai punonte si gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Ky është rasti i dytë i përfshirjes së punonjësve të ambasadave shqiptare në trafik droge. Pak muaj më parë në Itali autoritetet italiane ndaluan shoferin e ambasadës shqiptare në Romë me një kilogram heroinë.

VOA

Shantazhi i PD: Kemi të faktuar që deputetët e PS janë trafikantë

Qeveria nuk ka kërkuar ende falje për skandalin që ka përfshirë diplomacinë shqiptare, ndërsa Partia Demokratike përmes një deklarate ka sulmuar opozitën si të inkriminuar. Stili që po përdoret tashmë nga mazhoranca është i njohur. Parimi “Të gjithë të implikuar, të gjithë të pandëshkuar” po sundon prej kohësh në mazhorancën e votuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kështu dje, zëdhënësja e kësaj partie, duke lexuar deklaratën e Berishës, tha se deputetët socialistë janë përfshirë në trafiqe dhe kjo është e faktuar. Ajo tha se është imuniteti që i mbron ata, por nuk shpjegoi se pse nuk bëhen publike këto abuzime të deputetëve dhe pse policia nuk e çon dosjen e tyre në prokurori, që më pas mazhoranca t’ua heqë lehtësisht imunitetin. Zëdhënësja demokrate, d.m.th., kryeministri shqiptar, asnjëherë nuk ka deklaruar, nëse dosje të tilla ndodhen në prokurori, dhe se është ajo që nuk po ndërmerr masa ndaj deputetëve socialistë. Disa kohë më parë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, tha se nuk i ishte dorëzuar asnjë dosje kundër deputetëve të majtë. Një e tillë për evazion fiskal ndaj deputetit Nikollaq Neranxi u procedua me shpejtësi dhe tashmë ai është pa imunitet.

“Sot, dy zëdhënësit e Ramës, Taulant Balla, i faktuar si trafikant qeniesh njerëzore dhe Erion Braçe, i faktuar si asistent i Dondollakut, por dhe i Kadriovskit, duke shfrytëzuar aktin kriminal të punonjësit të ambasadës shqiptare në Shkup u vërsulën me tërbim kundër diplomacisë shqiptare. Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe aktin e diplomatit të ambasadës sonë në Shkup dhe pret që drejtësia t’i japë dënimin më maksimal, por në të njëjtën kohë i bën thirrje asaj që këtë dënim t’u rezervojë edhe atyre që janë kapur për trafiqe femrash apo droge e që sot fshihen në emër të imunitetit, atyre si Balla e Braçe e Ramës, t’u hapë dosjet e t’i vendosë para drejtësisë”, - tha zëdhënësja e PD.

Shantazhi që përdor prej kohësh kryeministri ndaj deputetëve të opozitës duke i quajtur mafiozë dhe kriminelë është kritikuar dhe është cilësuar madje si një motiv që ka çuar dhe në vrasjen e një deputeti socialist para disa ditësh në Roskovec.

Braçe: Selitë diplomatike po kthehen në depozita droge

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha dje se selitë diplomatike po kthehen në depozita droge.

Braçe, duke folur përpara Ministrisë së Jashtme, përmendi të gjitha rastet e tjera të bëra publike të trafikut nën petkun e mbrojtjes diplomatike.

“MPJ, kjo godinë, selitë diplomatike në varësi të MPJ, kudo që ato ndodhen, po kthehen turpësisht në depozita droge, ndërkohë që makinat e Republikës së Shqipërisë nën targat e Trupit Diplomatik, po kthehen në taksi droge, ndërkohë që zyrtarët e MPJ, që kanë për detyrë të përfaqësojnë Shqipërinë kudo në botë, po kthehen në trafikantë droge. Mjafton t’ju them, se në harkun e 6 muajve, kjo ministri është përfshirë në një xhiro trafikimi droge me vlerë 1 mln euro. Kanë mbetur ende pa përgjigje dhe nuk po bëhen transparente çështja e përdorimit të llogarive bankare të qeverisë së Republikës së Shqipërisë nga diplomatë apo persona që disponojnë pasaportë diplomatike në emër të MPJ së Shqipërisë, i pagesave dhe depozitave me vlerë 50 mln euro, publikuar edhe në shtypin e ditës. Pikërisht, për këtë arsye, kjo ministri sot nuk përfaqëson më flamurin e Shqipërisë, kjo ministri nuk përfaqëson më shqiptarët e ndershëm kudo që ata ndodhen, që kanë ndërtuar një jetë të mirë, me punën e djersën e tyre, kudo që ata ndodhen”, - tha Braçe.

“Pikërisht për këtë arsye, reagimi i djeshëm i ministrit të Punëve të Jashtme është i turpshëm, për të mos thënë që turpëron çdo shqiptar brenda Shqipërisë apo jashtë Shqipërisë. Kjo godinë është flamuri i Shqipërisë sot në botë. Kjo godinë është shtëpia e çdo shqiptari sot në botë, kjo godinë apo zyrtarët e kësaj godine përfaqësojnë çdo shqiptar sot në botë”, - vijoi më tej Braçe.

Ai tha se të tillë militantë politikë që po bëjnë trafik po njollosin figurën e qindra diplomatëve të tjerë që bëjnë punë të ndershme.

“Do të doja t’ju thosha dy fjalë, natyrisht që në radhë të parë janë rekrutimet politike që duhet të detyrojnë secilin nga këta ministra të kësaj ministrie të japë dorëheqjen. Së dyti, këto rekrutime politike dhe përfshirja e punonjësve të rekrutuar politikisht në shërbimin diplomatik shqiptar, po turpërojnë dhe po hedhin hijet e dyshimit mbi mijëra diplomatë të shkëlqyer, që po përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet sot. Së fundi, këta të punësuar politikisht në këtë ministri, që po bëhen pjesë e kronikave të zeza anembanë Evropës janë shëmbëlltyra e atij që i drejton, që është një person nën hetim, që është një person që duhet të përgjigjet për veprën penale të korrupsionit dhe që nuk mund të pastrojë as imazhin e tij, as karrierën e tij, pa një gjyq të drejtë dhe të ndershëm. Pra, nuk mund ta shpëtojë imazhin e tij me raporte mjekësore, por me vendim gjykate”, - tha Braçe.

Balla: Nuk mund të jetë diplomacia emigracion i organizuar i militantëve

Deputeti socialist, Taulant Balla, tha dje se Lulzim Basha është përgjegjës për aferën e drogës në diplomaci, për shkak se është ai që ka ngritur këtë rrjet kriminal.

“Përfshirja në trafik ndërkombëtar droge e sekretarit të ambasadës sonë në Shkup, Agim Haxhiut, pason rastin e shoferit të ambasadorit tonë në Romë, Arsen Selmanllari të arrestuar nga policia italiane 9 muaj më parë për transport kokaine, pason rastet e shumta të denoncuara publikisht për korrupsion, falsifikime, shpërdorim detyre në njësitë tona konsullore.

Është e turpshme, por sakaq përfshirje e drejtpërdrejtë në përgjegjësi administrative dhe penale direkte e ministrit Lulzim Basha, personit përgjegjës që ka sponsorizuar dhe ngritur këtë rrjet kriminal me imunitet diplomatik”, - tha Balla.

Ai i bëri thirrje prokurorisë që të nisë hetimet për këtë rrjet kriminal trafiku.

“Përpjekja e djeshme përmes dy njoftimeve kontradiktore për shtyp të Ministrisë së Jashtme lidhur me skandalin Haxhiu, ku u munduan të fshihen përgjegjësitë direkte të Lulzim Bashës, tregon qartë se ky person, pra Lulzim Basha, i pandehur në një vepër tjetër penale për korrupsion, ka lidhje direkte me emërimin dhe mbajtjen në Shkup të korrierit të drogës Agim Haxhiu.

Lulzim Basha nuk mund të fshihet pas njoftimeve për shtyp dhe as të ndryshojë prova shkresore, se gjoja korrieri i drogës ishte liruar më parë nga puna, për aq kohë që korrieri lëvizte me makinën e ambasadës dhe pasaportën diplomatike të dhëna nga Lulzim Basha”, - tha Balla.

“Me këtë rast, i bëj thirrje institucionit të Prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet mbi ekzistencën e një rrjeti kriminal transporti lëndësh narkotike brenda sistemit diplomatik, të përbërë kryesisht nga militantë të rekrutuar kryesisht në vitet 2007-2008, të cilët mbajnë pozicione të nivelit të tretë ose shoferë, në disa prej njësive tona diplomatike”, - vijoi më tej Basha, që premtoi se, kur PS të vijë në pushtet, nuk do ketë emërime nepotike dhe militantësh në diplomaci.

“Nuk mund të jetë diplomacia emigracion i organizuar i militantëve.

Shembulli më i keq i këtij keqpërdorimi është fakti që në tri njësi tonat diplomatike në Greqi, drejtojnë tre ish-kryetarët e degëve lokale të Partisë Demokratike në Athinë, Selanik dhe Janinë”, - tha Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›