E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia bllokon 157 studentë shqiptarë në traget, i kthen mbrapsht, dyshime për klandestinë

Nga Bledar Lumani

Italia, vendi që po mbështet më shumë procesin e liberalizimit të vizave ka dhënë dje një provë të qartë se liberalizimi është shumë i largët për vendin tonë.

157 studentë nga Shqipëria janë bllokuar prej dy ditësh në një traget ndërsa po udhëtonin drejt Italisë dhe nuk janë lejuar që të zbresin në vendin fqinj, në portin e Triestes. Edhe pse kanë marrë vizat Schengen, studentët nuk janë lejuar që të zbresin në tokë. Policia nuk ka dhënë asnjë variant zyrtar se pse është penguar një gjë e tillë, ndërsa mediet italiane raportojnë të paktën dy arsye pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Sipas medieve të vendit fqinj, dokumentet janë të parregullta, për shkak se nuk është përcaktuar qartësisht itinerarit, akomodimi dhe lëvizja e tyre, ashtu siç e parashikon viza turistike. Nga ana tjetër, policia italiane po kërkon edhe për klandestinë mes numrit të madh të studentëve që i janë drejtuar Italisë për të zhvilluar një tur në disa vende të Evropës.

Ngjarja

Të enjten pasdite, 157 studentë shqiptarë nuk janë lejuar që të zbresin nga trageti “Venezia”, që vinte nga Durrësi në drejtim të Triestes. Shkak është bërë një urdhër i policisë që i ndalon ata të prekin tokën italiane për shkak të parregullsive me letrat. Mediet italiane thonë se studentët vazhdojnë të jenë të ngujuar në traget, ndërsa pritet që sot ata të kthehen në drejtim të Shqipërisë. Studentët kishin prenotuar një paketë turistike dhe ishte parashikuar që të udhëtonin në drejtim të Sllovenisë. Bëhet e ditur se vizat janë lëshuar nga ambasada hungareze në vendin tonë. Kjo e fundit nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar në lidhje me çështjen në fjalë deri në orët e vona.

Mediet italiane thonë se studentët janë ushqyer me gjërat që ofron shërbimi i tragetit, por dhe janë shfaqur të irrituar dhe kanë protestuar duke thirrur.

Sipas medieve të vendit fqinj, ata janë të rinj nga mosha 20 deri në 23 vjeç.

Ministria e Jashtme

Faktin që mes studentëve mund të ketë klandestinë e ka pohuar dhe Ministria e Jashtme, e cila përmes një deklarate ka sqaruar rrethanat e ngjarjes.

“Sipas informacioneve të marra në vijimësi nga autoritetet e portit të Triestes, nga Ambasada e Hungarisë në Tiranë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme në Romë rezulton se: Udhëtimi i studentëve të disa universiteteve private në Tiranë është ndërmjetësuar dhe organizuar nga një agjenci private e udhëtimit. Vizat janë marrë në ambasadën e Hungarisë në Tiranë, ku agjencia ka paraqitur programin e udhëtimit dhe rezervimet e hoteleve në Slloveni dhe Itali. Ambasada e Hungarisë, pasi ka dhënë vizat, ka marrë njoftim nga hotelet se janë kontaktuar nga agjencia, por rezervimi ose nuk është bërë efektiv (sepse nuk është kryer pagesa), ose më vonë është anuluar. Për pasojë, ambasada e Hungarisë ka anuluar vizat dhe ka njoftuar kufirin që të mos lejojë hyrjen në territorin italian”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

“Pasagjerët kanë marrë njoftimin e anulimit të vizave vetëm në mbërritje. Autoritetet e kufirit nuk i kanë lejuar të zbresin, në pritje për t’i kthyer në Shqipëri me të njëjtin traget. Sipas informacionit që kemi marrë nga pala italiane, rezulton se trajtimi i grupit ka qenë normal. Studentët janë sistemuar në dhoma, u janë dhënë mbulesa të pastra dhe ushqim i rregullt.

Autoritetet e portit kanë intervistuar pasagjerët dhe, sipas informacionit që ambasada jonë në Romë ka marrë nga Ministria e Jashtme, disa prej tyre kanë deklaruar destinacione të tjera (Spanjë, Francë, Belgjikë), jashtë itinerarit të deklaruar. Ky fakt ka rënduar situatën dhe ka bërë që të merret vendimi përfundimtar i refuzimit të hyrjes në territorin italian”, - vijon më tej njoftimi i MPJ.

Universitetet private

Asnjë fjalë nuk thuhet nga universitetet që kanë dërguar studentët në këtë udhëtim. Bëhet e ditur se ato janë universitete private. Shpesh ato janë përfolur për abuzime në dhënie diplomash dhe përfitime shumash të mëdha me një dorë, ndaj është e mundur që edhe pista e trafikut të jetë reale. Bëhet fjalë për një numër shumë të madh të rinjsh, e dyshimet e italianëve janë se mes tyre nuk janë të gjithë studentë, por dhe klandestinë që kanë paguar pará dhe që synojnë të kalojnë brigjet me lehtësi. Një praktikë e tillë është zbatuar disa herë nga delegacionet shqiptare sportive, por dhe për ato që zbarkojnë në vendin fqinj për evenimente të tjera. Kohët e fundit nuk ishte dëgjuar shumë për ngjarje të tilla. Por, nëse do provohet se mes studentëve ka dhe klandestinë, njolla që do marrë Shqipëria në rrugën drejt heqjes së vizave do jetë shumë e madhe. Shto këtu dhe arrestimin e një diplomati shqiptar që transportonte drogë duke u fshehur pas dokumentit diplomatik, duket se gjasat për liberalizim vizash do jenë shumë të largëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›